• e premte, 27 dhjetor 2024

Oda e Zejtarëve të Shkupit: Çmimi i subvencionuar i rrymës nuk mjafton për të ulur çmimet e produkteve të bukës

Oda e Zejtarëve të Shkupit: Çmimi i subvencionuar i rrymës nuk mjafton për të ulur çmimet e produkteve të bukës

Shkup, 2 mars 2023 (MIA) - Çmimi i subvencionuar i rrymës nuk është i mjaftueshëm për uljen e çmimit të produkteve të bukës, kurse formimi i çmimit të bukës nuk duhet dhe nuk mund të varet vetëm nga çmimi i rrymës, thonë furrtarët e Odës së Zejtarëve në Shkup.

"Në fakt, shumica e prodhuesve të bukës dhe brumërave të bardha nuk pjekin me energji elektrike. Disa përdorin furra me gaz, të tjerë kanë instaluar fotovoltaikë dhe të tjerë përdorin furra me dru. Çmimi i bukës nuk formohet vetëm në varësi të çmimit të miellit, sepse për të prodhuar bukë nevojiten repromateriale të tjera, çmimi i të cilave kemi qenë dëshmitarë se është në rritje të vazhdueshme", thonë nga Seksioni i furrtarëve pranë Odës së Zejtarëve në Shkup.

"Çmimi i bukës sigurisht që ndikohet nga burimet njerëzore të përfshira në prodhim, pra në përllogaritjet totale duhet të merret në konsideratë rritja e pagës minimale të punonjësve, pra rritja e kontributeve, si një faktor i rëndësishëm për përcaktimin e çmimit të bukës. Një masë e tillë nga shteti për të kufizuar çmimin e bukës mund të ndikojë negativisht vetëm me uljen e ofertës në treg dhe shfaqjen e deficitit të produkteve bazë të furrës, si buka, dhe kjo mund të çojë në uljen e numrit të punëtorëve dhe mbylljen e një pjese nga bizneset", theksoi Aneta Atanasovska, drejtoreshë ekzekutive e Odës së Zejtarëve të Shkupit.

Sipas saj, furrtarët përballen çdo ditë me sfida të reja për mbijetesë dhe ende po rimëkëmben nga pasojat e rritjes së çmimeve të lëndëve të para, nga rritja e energjisë, nga përqindja e madhe e migrimit të fuqisë punëtore nga ky sektor jashtë vendit, nga deficiti i madh i furrtarëve, si dhe vështirësitë në përmbushjen në kohë të detyrimeve në bazë të pagave dhe kontributeve. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR