• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Nuk ka më sportistë në reklamat e basteve

Nuk ka më sportistë në reklamat e basteve

Shkup, 5 nëntor 2024 (MIA) - Ministri Borko Ristovski në emër të Ministrisë së Sportit dhe drejtorit të përgjithshëm të Videolotarisë Shtetërore të Maqedonisë - Kasinos Austria SHPK Shkup, Kostadin Karakabakov, sot nënshkruan memorandum për bashkëpunim në fushën e sportit.

Sipas memorandumit, në të ardhmen nuk do të ketë personazhe sportive në reklamat e basteve.

"Ky është një hap që së pari do të thellojë bashkëpunimin tonë dhe për mua është veçanërisht e rëndësishme që në të ardhmen të promovojmë vlera që vërtetë janë të rëndësishme për sportin dhe shoqërinë tonë. Jemi të vetëdijshëm se vitet e kaluara e gjithë kjo në përgjithësi, me kazinot, me bastet dhe me kreditë e shpejta, ka dalë pak jashtë kontrollit. Jam krenar që ia dolëm së bashku, në kuadër të këtij memorandumi të vendosim kornizë, këtu nuk po flas për atë ligjor, por për etikë dhe moral. Ky memorandum paraqet një mirëkuptim mes dy palëve dhe nënkupton një marrëdhënie etike dhe morale në të cilën sportistët- ish talentët, aktual apo të rinj - nuk do të shfrytëzohen drejtpërdrejtë për asnjë reklamë të kazinove dhe lojërave të fatit. Sportistët do të mund të përfshihen në promovimin e fushave sportive si dhe në evente që lidhen me sportin dhe promovimin e vlerave të vërteta që lidhen me sportin, duke respektuar parimet e moralit, etikës dhe përgjegjësisë ndaj vlerave shoqërore. Ky ishte segmenti më i rëndësishëm që donim të arrijmë me këtë iniciativë të nisur nga Ministria e Sportit për të cilën gjetëm mirëkuptim nga Videolotaria Shtetërore e Maqedonisë - Kasinos Austria dhe ky është një fillim i mirë i bashkëpunimit në të ardhmen", deklaroi ministri Ristovski.

Videolotaria Shtetërore e Maqedonisë - Kasinos Austria SHPK Shkup, merr përsipër të përmbahet nga angazhimi i figurave të njohura nga shoqëria në formën e sportistëve kryesorë të dikurshëm dhe aktivë në fushatat e saj reklamuese në fushën e reklamimit të drejtpërdrejtë dhe promovimit të produkteve që i referohen ose inkurajojnë bastet dhe lojërat e fatit. qa/

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR