• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nuk do të ushtrojmë presion politik, gjyqtarët të japin atë për të cilën paguhen nga qytetarët, thotë Mickoski

Nuk do të ushtrojmë presion politik, gjyqtarët të japin atë për të cilën paguhen nga qytetarët, thotë Mickoski

Shkup, 15 korrik 2024 (MIA) - Vendimet që merren në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorëve Publikë janë vendime të njerëzve që janë pjesë e atyre institucioneve, ndërsa propozimet kanë ardhur pjesërisht nga Qeveria, pjesërisht nga kabineti i Presidentit. Nuk dua takime me prokurorë apo gjyqtarë. Nuk kam ndërmend si Qeveri të qeveris në atë mënyrë që të ushtrojmë presion politik përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne duam drejtësi, duam që ata të japin atë për të cilën paguhen, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Ai sot gjatë vizitës së tij në Ohër duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me komentin e tij të fundit për besimin e ulët në Këshillin Gjyqësor, edhe një herë përsëriti se besimi në këtë institucion është dy për qind dhe se qytetarët nuk e marrin atë që paguajnë.

"Dy për qind është besimi. Nuk bën puna, nuk është mirë. Qytetarët nuk po marrin atë që paguajnë. Punëtorët atje kanë rroga mijëra euro dhe qytetarët ndihen të pafavorizuar që nuk sundon drejtësia, që kriminelët bëhen heronj dhe qytetarë të lirë, pavarësisht nëse janë kriminelë politikë apo kriminelë të tjerë. Kjo është arsyeja pse ne propozuam një zgjidhje. Nëse do të kisha një vlerësim dy për qind, do të kisha lënë këtë punë, do të kisha bërë diçka tjetër", tha Mickoski.

Ai përsëriti propozimin e tij për ndryshimin e ligjit dhe që vetë prokurorët dhe gjyqtarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këto dy institucione, por theksoi se ky propozim u ndesh me rezistencë nga ata që nuk e pëlqejnë ndryshimin dhe janë mësuar me të njëjtin parim si deri më tani.

"Ne propozuam shpërndarjen e tyre dhe të ndryshojmë ligjin, nëse është e nevojshme edhe Kushtetutën, dhe jo Qeveria, jo Parlamenti, jo presidenti, por vetë prokurorët dhe gjyqtarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këto dy intstitucione. Ky ishte propozimi ynë. Ai hasi në rezistencë. Kush krijon rezistencë ? Ai që nuk i pëlqen ndryshimin, ai që është mësuar me parimin si deri më tani. Jemi të gatshëm të bisedojmë. Por nuk dua të më kërkojnë takim as prokurorët, as gjyqtarët. Ja, më kërkuan takime - nuk dua, nuk do të pranoj askënd. Duhet vetëm sepse janë të paguar, ndërsa i paguajnë qytetarët nga paratë e tyre të fituara me vështirësi përmes taksave që paguajnë", shtoi Mickoski. 

I pyetur për komentet për kinse ekzistimin e kuadrove të pakualifikuar në Qeveri, Mickoski tha se për momentin është i kënaqur me ekipin qeveritar dhe se qytetarët do të vendosin në zgjedhje.

"Nuk e di se për cilët ministra mendoni se nuk janë të kualifikuar për poste të caktuara. Jam i kënaqur me atë që kam marrë këto tre javë nga njerëzit që janë ekipi i qeverisë. Ne do të shohim në të ardhmen. Qytetarët janë ata që gjykojnë në zgjedhje. As ne politikanët dhe askush tjetër nuk duhet të gjykojmë, qytetarët janë ata që thonë në zgjedhje nëse dikush e bën mirë punën e tij apo jo. Kështu do të shohim kur të ketë zgjedhje. Këtu testi i parë do të jetë në zgjedhjet lokale, qytetarët do të thonë nëse kemi punuar mirë. Kjo është zgjedhja e demokracisë në këtë vend, tha Mickoski. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR