• e shtunë, 23 nëntor 2024

Nuk është dorëzuar asnjë provë se ekziston standardi minimal për vazhdimin e masës së paraburgimit, thotë mbrojtja e Gjorçevskit

Nuk është dorëzuar asnjë provë se ekziston standardi minimal për vazhdimin e masës së paraburgimit, thotë mbrojtja e Gjorçevskit

Shkup, 13 mars 2024 (MIA) - Në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot është mbajtur seancë publike mbi ankesën e masës së paraburgimit kundër Aleksandar Gjorçevskit, i dyshuar për rastin e vrasjes së vajzës së tij, Vanja Gjorçevska. Përmes ankesës avokatët thonë se paraburgimi është preventiv, që sipas tyre është i palejueshëm. Ndërsa, prokuroria thotë se nga dëshmitë nxirret konkuldim i pakontestueshëm se në këtë fazë ekziston dyshim se i akuzuari ka kryer veprën penale që i m'vishet.

Ankesa vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit me të cilën u refuzua ankesa e Gjorçevskit dhe ia zgjati masën e paraburgimit për shkak të dyshimit për veprën penale “rrëmbim” deri më 3 prill 2024.

Avokati Vlladimir Tufegxhiq, mbrojtësi i të akuzuarit Aleksandar Gjorçevski në seancën e sotme publike theksoi se nuk është ofruar asnjë dëshmi apo provë nga e cila mund të konkludohet se ekziston standard minimal për vazhdimin e masës së paraburgimit.

"Dyshim i bazuar se është kryer vepër penale nënkupton ekzistimin e fakteve dhe informacioneve për të cilën dikush mund të bindet se i dyshuari ka kryer veprën. Argumentet pro dhe kundër nuk duhet të jenë të përgjithshme dhe abstrakte, por duhet të përmbajnë argumente që arsyetojnë paraburgimin", tha ai.

Sipas tij, siç tha ai, “vazhdimi me automatizëm i paraburgimit” është në kundërshtim me ligjin.

Tufegxhiq theksoi se i dyshuari po kalon një proces humbje dhe siç shtoi, “sjellja e tij e deritanishme është gjëja më e rëndë që mund t'i ndodhë një prindi”.

Sipas mbrojtjes, poashtu, këshilli penal ka sjell vendim të paqartë, të pakuptueshëm dhe pa mos ofruar prova të duhura.

Nga atje thonë se i akuzuari në këtë procedurë penale ka marrë pjesë me mbrojtje proaktive për qartësimin e plotë të punëve. Ai ka ndihmuar që të ofrohen video-incizime nga objekte të ndryshme dhe i ka dorëzuar në polici. Ata janë konciz se i është caktuar masë e paraburgimit pa u ofruar ndonjë provë për këtë, ndërsa gjykata ka dhënë arsyetime paushall.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, mbrojtja mendon se ankesa duhet pranuar, të caktohet masë më e butë ose të hiqet masa e paraburgimit.

Ndaj ankesave të tilla, Prokuroria publike ka dorëzuar përgjigje ku propozon që ankesa e të pandehurit të refuzohet si e pabazë.

Sipas prokurores Natalia Tasevska, Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë vendim të qartë me arsyetimin e mjaftueshëm se i dyshuari ka kryer veprën penale “rrëmbim” e cila siç theksoi, “gjatë hetimeve po plotësohet me më shumë prova, ndërsa hetimet ende zgjasin”.

"Bëhet fjalë për vepër penale të rëndë me pasojë të rëndë dhe për gjyqësinë në raste të tilla ligji parasheh dënim të rëndë nga ku del arsyeja se nëse i akuzuari është në liri do të ketë shkallë të lartë të mundësisë që ai të arratiset", ka thënë ajo.

Në seancën e sotme publike është prononcuar edhe i dyshuari Aleksandar Gjorgjievski, babai i Vanjës duke iu bashkuar ankesave që dhanë avokatët e tij.

"Unë jam ndarë në dy botë tani për tani, njërin nga fëmijët e kam këtu, tjetrin ma morën. Për mua nuk ka rëndësi se si do ta pres epilogun e kësaj situate, për mua është e rëndësishme që të ketë një epilog në mënyrë që edhe unë të marr vendim si i rritur nëse do të vazhdoj në këtë botë apo do t'i bashkohem vajzën time të madhe", tha ai.

E mitura Vanja Gjorçevska e paraqitur si e zhdukur më 27 nëntor u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, një person me origjinë nga Velesi i cili u raportua i zhdukur më 24 nëntor.

Për dy vrasjet, për dy vepra penale "rrëmbim" dhe "vrasje në mënyrë brutale" i akuzuari i parë është Lubomir Palevski Palço për të cilin pritet ekstradimi nga Turqia, ndërsa për bashkëpjesëmarrje akuzohen edhe Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Bore Videvski të cilët janë në paraburgim në Shkup. Në paraburgim është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili akuzohet se ndihmoi në rrëmbim duke ndarë informacione me të dyshuarit e tjerë për lëvizjet e vajzës së tij, siç njoftuan autoritetet në atë kohë.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR