• e martë, 13 gusht 2024

Një viktimë, shtëpi të djegura, ndërtesa dhe dëme të mëdha materiale nga zjarri në rajonin më të gjerë të Athinës

Një viktimë, shtëpi të djegura, ndërtesa dhe dëme të mëdha materiale nga zjarri në rajonin më të gjerë të Athinës

Athinë, 13 gusht 2024 (MIA) – Trupi i djegur i një gruaje është gjetur mbrëmë vonë në një objekt afarist që u dogj në një lagje të Athinës që njëherësh është edhe viktima e parë nga zjarri i madh që nga e diela përfshiu pjesën verilindore të Atikës, ndërsa sot në mëngjes gjendja me zjarrin është përmirësuar dukshëm, bën të ditur korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Zjarri ka lënë të djegur shtëpi, ndërtesa dhe dëme të mëdha materiale në një sipërfaqe të madhe që tejkalon më shumë se 10.000 hektarë.

Zëdhënësi i shërbimit kundër zjarreve të Greqisë, Vasilis Vatrakoianis tha mbrëmë vonë se situata është përmirësuar dhe ka vetëm vatra më të vogla aktive të zjarrit.

Shkurt pas orës 5 të mëngjesit të sotëm ka pasur flakë të mëdha në afërsi të vendbanimit në pjesën lindore të zonës së Atikës dhe nga numri i urgjencës 112 është dërguar porosi evakuimi për banorët.

Zjarri është aktiv për të tretën ditë, kanë ndërhyrë 702 zjarrfikës me 27 ekipe këmbësorike dhe 199 automjete, si dhe një numër i madh vullnetarësh si dhe ka nisur edhe shuarja nga ajri.

Nëpërmjet Mekanizmit evropian të mbrojtjes civile, Greqia kërkoi ndihmë në përballjen e flakëve, ndërsa pozitivisht janë përgjigjur Franca, Çekia, Italia, Serbia, Rumania dhe Turqia, duke dërguar forca kundër zjarreve.

Mjete ajrore dërgohen nga Turqia, dy aeroplanë kundër zjarreve të llojit "Traktors", Serbia një helikopter të llojit "Kamov" dhe Franca një helikopter "Super Puma" me kovë, ndërsa forcat tokësore do të mbërrijnë nga Franca (200 persona me 28 cisterna), nga Rumania e cila dërgon 44 persona me katër cisterna, si dhe 35 persona me dhjetë automjete nga Serbia.

Nga Italia mëngjesin e sotëm pritet të arrijnë dy aeroplanë kundër zjarreve të llojit kanader, ndërsa Çekia dërgon 75 zjarrfikës dhe 25 automjete nga të cilat 9 janë cisterna. 
 

QËNDRONI TË LIDHUR