• e shtunë, 23 nëntor 2024

Një trung i lartë me kurorë freskuese për Manastirin

Një trung i lartë me kurorë freskuese për Manastirin

Shkup, 10 qershor 2023

Shprehi bindjen time të thellë se duke e fuqizuar këtë Departament, ne në fakt po vendosim një shtyllë pranë një fidani që nesër mund të jetë një trung i lartë i ortodoksisë shqipatre me kurorë freskuese për Manastirin dhe gjithë rajonin e Pellagonisë.


Shkruan: Oliver QIRIAZI

Tash e tutje, ne ortodoksët shqiptarë të Manastirit do t’i shtojmë kalendarit të festave tona edhe një festë të re. Tash e tutje do ta memorojmë në kokat tona themelimin e Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, që mban emrin e shenjtë të familjes Qiriazi, si një  festë që bashkon rreth një institucioni energjitë krijuese e hulumtuese, në funksion të njohjes sa më shkencore të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore të rajonit të Pellagonisë.  

Unë jam shumë i gëzuar që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore nga Shkupi, i udhëhequr nga drejtori Prof.dr. Skender Asani, e ka futur edhe Manastirin në hartën e përkujdesit institucional, duke i dhënë këtij qyteti dhe gjithë rajonit, një impuls të ri zhvillimi në planin e hulumtimit dhe kërkimit shkencor.
Gëzimi im është i dyfishtë për arsye se emri i këtij Departamenti rajonal këtu në Manastir, pjesë e të cilit do të jem edhe unë, lidhet me paraardhësit e mi, me familjen fisnike shqiptare Qiriazi dhe me gjithë veprimtarinë iluministe që kjo familje e ushtroi dekada me radhë, si në planin arsimor, ashtu edhe në atë kulturor e diplomatik.

Tani kur po e themelojmë këtë Departament, para meje më del një shirit kohe tepër i gjatë, i stërmbushur me ngjarje që i dhanë kulturës dhe historisë sonë disa prej margaritarëve më të çmuar të iluminizmit kulturor e arsimor, siç ishin: Kongresi i Alfabetit, Shkolla e Vashave në Korçë, botimi i librave të para me alfabet të unisuar të Manastirit, aktivitetet lobuese si dhe një varg kontributesh të tjera shumëdimensionale.

Duke qenë bashkëpunues e kooperues me të tjerët,  Departamentit rajonal i trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, do të jetë një pikë referuese mjaft kredibile për sa i përket ndriçimit të së kaluarës materiale e shpirtërore të këtij rajoni. Kjo edhe për faktin se Manastiri, si kryeqendër e një Vilajeti,  historikisht njihet si nyje që lidhte lindjen me perëndimin, si një nyje nëpër të cilën kalonte rruga Egnatia, por edhe si një qendër e rëndësishme e diplomacisë perëndimore, sepse pikërisht nga Manastiri konsujt e ndryshëm raportuan për njerëzit, vendet dhe zhvillimet e këtushme. Si qytet i konsujve, Manastiri e meriton të jetë një qytet prej ku sërish do të aktivizoheshin reflektorët e dijes dhe kulturës, sidomos në ato fusha ku ka qenë i pamjaftueshëm kujdesi institucional.    

Prandaj detyrë e jona si Departament do të ishte që ta rikthejmë Manastirin në dioptrinë e vëzhgimit shkencor, duke i dhënë peshën dhe meritën që ka në histori, por edhe vizionin që duhet ta ketë në të ardhmen.

Nuk ka punë më të shenjtë se vënia e dijes dhe kulturës në funksion të përparimit dhe progresit njerëzor. Jam shumë i bindur se ky do të jetë edhe misioni i Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, një vepër kjo kolosale e ideuar për mrekulli nga drejtori Skender Asani, i cili u tregua tepër kreativ në vitalizmin e jetës kulturore e shkencore me këndvështrime të reja dhe krejtësisht të liruara nga egocentrizmi etno-kulturor.
U jam mirënjohës z. Asani për besimin që edhe unë të jem pjesë e këtij Departamenti dhe shprehi bindjen time të thellë se duke e fuqizuar këtë Departament, ne në fakt po vendosim një shtyllë pranë një fidani që nesër mund të jetë një trung i lartë i ortodoksisë shqipatre me kurorë freskuese për Manastirin dhe gjithë rajonin e Pellagonisë. Ju faleminderoj për vëmendjen!  

(Autori është pasardhës i familjes Qiriazi dhe pjesë e Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore “Qiriazët” në Manastir)

____________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR