• e enjte, 26 dhjetor 2024

Një paciente ka tentuar të vetëvritet në Klinikën për Gjinekologji

Një paciente ka tentuar të vetëvritet në Klinikën për Gjinekologji

Shkup, 3 korrik 2023 (MIA) - Një paciente 39-vjeçare nga Shkupi, e cila ka lindur në Klinikën e Gjinekologjisë, dje ka tentuar të bëjë vetëvrasje duke u hedhur nga dritarja e Klinikës.

Nga Klinika e Gjinekologjisë, prej ku kanë dalë sot me një kumtesë të detajuar, bëjnë të ditur se pacientja është transferuar menjëherë në KARIL, ndërsa për rastin janë njoftuar institucionet kompetente.

Sipas informacioneve nga KGJO, pacientja është pranuar më datë 28 qershor në ora 21:16 për shkak të gjakderdhjes në tremujorin e fundit të shtatzënisë (36 javë shtatzani) dhe pasi është konstatuar nga specialisti kujdestar në klinikën e urgjencës se bëhej fjalë për shkëputje të parakohshme të placentës, gjendje e cila e rrezikon frytin dhe seriozisht e rrezikon shëndetin e nënës, e cila ka lindur me operacion cezarian.

"Pacientja është shtruar menjëherë në sallën e lindjes dhe pas një përgatitjeje të shkurtër para operacionit dhe brenda 14 minutave nga shtrimi ka lindur me prerje cezariane në orën 21:30,  një fëmijë të gjinisë mashkullore të gjallë në gjendje të kënaqshme. Pacientja monitorohet në mënyrë të duhur në departamentin e grave që kanë lindur fëmijë - Puerperium, sipas standardeve dhe protokolleve mjekësore", thonë nga KGJO. 

Në datën 30 qershor, pacientja u ankua për shqetësim dhe u zhvillua një bisedë me psikologun klinik dhe u ndoq sipas rekomandimeve të dhëna. Të nesërmen pacientja ka qenë pa ndonjë ankesë të veçantë dhe ka status normal gjinekologjiko-obstetrik dhe më 2 korrik në vizitën e mëngjesit është ankuar për simptoma të ngjashme si të datës 30 qershor, gjatë së cilës mjekët kujdestarë kanë biseduar me të dhe i është përshkruar terapia e duhur dhe është marrë vendimi që të thirret psikiatri për vlerësim më të mirë të gjendjes para daljes.

"Në ecurinë e mëtejshme të kujdestarisë së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e përditshme dhe detyrat e punës së ekipit kujdestar, pa përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes së lehonës. Natën rreth orës 21:30, pacientja nga dhoma e spitalit ka shkuar në korridorin e repartit të Puerperiumit dhe ka tentuar të vetëvritet përmes dritares në korridor, duke u hedhur nga kati i parë", thuhet në kumtesën e KGJO-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR