• e martë, 24 dhjetor 2024

Një delegacion qeveritar i RMV-së në takim me ministrin serb për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Momiroviq

Një delegacion qeveritar i RMV-së në takim me ministrin serb për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Momiroviq

Beograd, 4 shtator 2024 (MIA) - Rritja e bashkëpunimit tregtar dhe mundësia për avancimin e kushteve të tregut ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, ishte një nga temat e takimit ndërmjet delegacionit qeveritar, më përbërje të të cilit ishin zëvendëskryetari dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryetari dhe ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Ivan Stoillkoviq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski me ministrin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, Tomisllav Momiroviq, njoftoi  korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

"Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është në nivel të lartë, iniciativat në kuadër të Ballkanit të Hapur e thellojnë bashkëpunimin dhe në kushte të tilla ka mundësi që ky bashkëpunim të intensifikohet përmes masave dhe aktiviteteve të reja", ishte përfundimi i takimit mes dy palëve, thuhet në komunikatën për media pas takimit në Beograd.

Në takimin me ministrin Momiroviq, përfaqësuesit e delegacionit qeveritar theksuan se Maqedonia ka ndikim të madh në zhvillimin rajonal dhe politikat e Qeverisë dhe në periudhën e ardhshme do të fokusohen në përforcimin e tregjeve rajonale, lehtësimin e tregtisë dhe transportit si integrimi i vendeve të rajonit në tregun evropian.

Zëvendëskryetari dhe ministri i Transportit, Nikolloski theksoi se përpos zhvillimit ekonomik, fokus primar për Qeverinë është lidhja rajonale përmes infrastrukturës moderne dhe cilësore, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Transportit për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë të Korridorit 10, si parakusht për transport të shpejtë dhe të qetë të mallrave drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore.

“Të dyja palët u pajtuan se Maqedonia dhe Serbia janë shembull i bashkëpunimit rajonal dhe theksuan se këtë shembull duhet ta ndjekin edhe vendet e tjera me qëllim të krijimit të një tregu të përbashkët pas tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian", u njoftua pas takim.mb/

Foto: Ministria e Transportit

 

QËNDRONI TË LIDHUR