• e enjte, 26 dhjetor 2024

Një delegacion i Kuvendit viziton Kuvendin slloven

Një delegacion i Kuvendit viziton Kuvendin slloven

Shkup, 28 nëntor 2024 (MIA) - Një delegacion i Kuvendit, i organizuar nga Fondacioni për Demokraci Vestminster, nga 26 deri më 28 nëntor 2024 zhvilloi vizitë pune në Kuvendin e Republikës së Sllovenisë.

Vizita, siç njoftuan sot nga pores shërbimi i Kuvendit, u fokusua në punën e Klubit të Deputetëve të Rinj të Parlamentit Slloven, bashkëpunimin e Klubit me komisionet që mbulojnë çështjet dhe politikat rinore, si dhe mbështetjen që Klubi merr nga Parlamenti.

Delegacioni i Kuvendit u kryesua nga deputetja Dragana Bojkovska – koordinatore e Klubit për Çështje dhe Politika Rinore, në përbërje të deputetëve: Monika Zajkova, Kaltrina Beqiri dhe Sergej Popov nga Klubi për Çështje dhe Politika Rinore; Ilire Dauti dhe Angelinka Petkova nga Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini; Ivanka Vasilevska nga Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport dhe dy nëpunëse të Kuvendit.

Delegacioni realizoi takim me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Rini, me kryesuesin dhe anëtarët e Klubit të Deputetëve të Rinj, si dhe me sekretaren e përgjithshme të Kuvendit të Sllovenisë.

"Takimi me Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Rini u fokusua në punën në fushën e çështjeve dhe politikave rinore, ku deputetët sllovenë theksuan rregullat ligjore që i prekin të rinjtë nga mosha parashkollore deri në arsimin e lartë dhe arsimin e të rriturve, si dhe një sërë masash që ndërmerren për të siguruar një jetë më të mirë për popullatën e re", thuhet në kumtesë.

Përfaqësuesit nga Klubi i Deputetëve të Rinj ndanë përvojën e tyre në lidhje me mënyrën se si konsultohen dhe përfshijnë të rinjtë në hartimin dhe miratimin e vendimeve. Ata shpjeguan procesin e bashkëpunimit me organizatat rinore për të sjellë zgjidhje ligjore në interesin më të mirë të të rinjve.

Në kuadër të vizitës studimore u mbajt takimi me Këshillin Rinor të Sllovenisë, gjatë të cilit u prezantuan aktivitetet e tyre, bashkëpunimi me vetëqeverisjen lokale dhe Klubin e Deputetëve të Rinj, si dhe u shpjeguan dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e organizatave rinore.

Delegacioni i Kuvendit realizoi takim edhe me Organizatën Studentore të Studentëve Maqedonas në Slloveni, të cilët dhanë informacione për standardin e studentëve në Slloveni, gjendjen e banimit, praktikat e mira në fushën e organizimit të studentëve, mundësinë e punës studentore, si dhe motivet për kthimin e mundshëm në vend.

Vizita organizohet me mbështetjen e Fondacionit për Demokraci Vestminster përmes projektit "Praktikoni Demokracinë" të financuar nga Ambasada Britanike në Shkup. bsh/

Foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR