• e diel, 24 nëntor 2024

Një debat i ri televiziv i liderëve të partive politike greke në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit

Një debat i ri televiziv i liderëve të partive politike greke në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit

Athinë, 6 qershor 2023 (MIA) – Liderët e pesë partive politike greke, të cilat siguruan vende në parlament në zgjedhjet e 21 majit, do të marrin pjesë në debatin televiziv në televizionin shtetëror ERT, i cili me shumë gjasa do të mbahet më 15 qershor, dhjetë ditë para zgjedhjeve të reja parlamentare, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Komisioni ndërpartiak për Zgjedhjet zhvilloi sot një takim me ministren zyrtare të Punëve të Brendshme të Greqisë, Kaliopi Spanu, ku u ra dakord të zhvillohet një debat televiziv.

Në debat do të marrin pjesë liderët e Demokracisë së Re Kirjakos Micotakis, SYRIZA-s Aleksis Cipras, PASOK-Lëvizja për Ndryshim Nikos Androulakis, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Dimitris Kucubas dhe kryetari i Zgjidhjes Greke Kirjakos Velopulos.

Ky do të jetë debati i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke qenë se është mbajtur edhe në periudhën e mëparshme parazgjedhore.

Në atë kohë mori pjesë lideri i MERA 25, Janis Varufakis, por pasi partia e tij nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Parlament më 21 maj, ai nuk do të jetë pjesë e debatit.

Pritet që liderët t'u përgjigjen sërish pyetjeve të gjashtë gazetarëve të televizioneve private dhe kësaj radhe me gjasë, përveç gjashtë fushave, do të futet edhe një temë e lirë.

Në debatin e mëparshëm të mbajtur më 10 maj dhe pas një pauze prej tetë vitesh, liderët e partive politike greke prezantuan qëndrimet e tyre për ekonominë, politikën e jashtme dhe mbrojtjen, institucionet dhe transparencën, shëndetësinë dhe arsimin, mjedisin jetësor dhe energjinë dhe gjeneratat e reja.

Në ditët në vijim pritet të precizohen detajet lidhur me mbajtjen e debatit televiziv në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR