• e diel, 24 nëntor 2024

Nikollovski - Shinko: Përparimi i bashkëpunimit përmes realizimit të projekteve nga Plani i Veprimit

Nikollovski - Shinko: Përparimi i bashkëpunimit përmes realizimit të projekteve nga Plani i Veprimit

Shkup, 19 gusht 2022 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, i cili po qëndron për vizitë në Slloveni, realizoi takim me ministren sllovene të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit, Irena Shinko me të cilën ka biseduar për përparimin e bashkëpunimit dypalësh përmes realizimit të projekteve nga Plani i Veprimit për bashkëpunim ndërmjet dy ministrive.

Teksti i Planit të Veprimit për Bashkëpunim 2021-2024 është nënshkruar në nëntor të vitit 2021, gjatë Takimit të 15-të të Ministrave në Tiranë dhe përfshin aktivitete për mbështetje të shoqatave të bujqve të rinj, kreditim rural, përvojë sllovene në bashkëfinancimin e projekteve IPARD, nevoja për formimin e fondit garantues dhe zbatim të modeleve të reja rurale kreditore, si dhe shkëmbim të përvojës praktike për zbatim të masave agroekologjike, shkëmbim të përvojave për vendosje të sistemit informativ për njohuri bujqësore -AKIS dhe bashkëpunim tjetër.

Dy ministrat, siç bëri të ditur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, kanë shkëmbyer mendime edhe për mbështetjen profesionale nga Sllovenia në procesin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

"Republika e Sllovenisë ofron mbështetje të rëndësishme teknike për përafrimin e legjislacionit të BE-së në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ekspertët sllovenë dhe firmat konsulente morën pjesë në një numër të madh projektesh të financuara nga BE-ja në kuadër të projekteve IPA dhe Projekte Tuining dhe projekteve të tjera të donatorëve (FAO). Gjithashtu, Republika e Sllovenisë ofron mbështetje të konsiderueshme në kuadër të Programit Dypalësh për Maqedoninë e Veriut, përmes të cilit janë zbatuar një numër i madh i aktiviteteve që kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve administrative të institucioneve në Maqedoninë e Veriut (MBPEU, Agjencia e Pagesave, Agjencia për Mbështetjen e Zhvillimit të Bujqësisë, etj)”, bëhet e ditur në kumtesën e MBPEU-së.

Ministri Nikollovski do të marrë pjesë edhe në edicionin e 60-të të Panairit Ndërkombëtar për Bujqësi dhe Ushqim AGRA FAIR 2022, që mbahet në Gorna Radgona.

Në kuadër të panairit, Maqedonia e Veriut do të ketë prezantim të organizuar në një hapësire nacionale të ekspozuar nga sfera e bujqësisë dhe ekonomisë. Do të prezantohen edhe mundësitë për investim në zhvillimin e bizneseve, veçanërisht në thellimin e bashkëpunimit me Slloveninë, por edhe bashkëpunimi me vendet fqinje dhe vendet e rajonit. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR