• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nikollovski: Po mbyllim një vit të suksesshëm, në bujqësi janë paguar 157 milionë euro

Nikollovski: Po mbyllim një vit të suksesshëm, në bujqësi janë paguar 157  milionë euro

Shkup, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Deri nesër, për herë të parë në historinë e vendit, 40.000 fermerëve do t'u paguhen 30 për qind të subvencioneve ose 750 milionë denarë paraprakisht. Mbështetje do t'u jepet edhe kultivuesve të frutave, kopshtarëve dhe vreshtarëve, tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.

Ai u bëri thirrje të gjithë fermerëve që deri më 30 dhjetor të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të aplikojnë për mbështetje shtesë bazuar në modelin e ri të subvencionimit.

Nikollovski në takim me gazetarët vitin e kaluar e vlerësoi si të suksesshëm, me një numër të madh të reformave dhe programeve të realizuara. Në vitin 2023, realizimi i përgjithshëm i Programit  për pagesa direkte arriti 127 milionë euro, ndërsa realizimi i Programit për Zhvillim rural mbi 11 milionë euro. Realizimi i programit për nxitje të konsumit të pemëve dhe perimeve të freskëta është afër 500.000 euro, i Fondit Intervenues afër 5 milionë euro, ndërsa pagesa e përgjithshme e mjeteve nga programi IPARD 2 në vitin 2023 arrin 13,3 milionë euro. Gjithsej deri tani, thekson ministri, janë paguar 157 milionë euro direkt në sektorin e bujqësisë.

"Vitin do ta mbyllim me 127 milionë euro mbështetje direkte për fermerët dhe me një numër rekord aplikimesh në pjesën e Programit të Zhvillimit Rural - janë ndarë 730 traktorë dhe janë lidhur 206 kontrata për masën "Plani i Biznesit" i cili është një nga më të suksesshmit. Kemi kërkesë rekord për blegtori e cila është e madhe duke pasur parasysh se fokusi ynë në vitin 2024 do të jetë te blegtoria. Kërkesa në vetëm një thirrje në fund të vitit është rreth një miliard denarë, ndërsa pjesa tjetër e thirrjeve për blerjen e autokombajve është në vazhdim. Do të veçoja për këtë vit mbështetjen për të rinjtë, për gratë fermere dhe për prodhuesit e vegjël. Vetëm në dhjetor janë lidhur 450 kontrata, janë paguar grante për kantinat e vogla familjare të sapoformuara dhe operatorët e vegjël ushqimorë që janë krenaria e Maqedonisë", theksoi Nikollovski.

Sipas tij, në vitin 2023 plotësisht ishte fokusuar në prodhimin e ushqimit, gjegjësisht në realizimin e Planit nacional për prodhimin e ushqimit të miratuar vitin e kaluar, si dhe të modelit të ri për subvencionim.

Nikollovski iu referua edhe programit IPARD. Ai ritheksoi se jemi vendi i parë në rajon që filloi Programin IPARD 3 dhe informon se në thirrjen e parë ka projekte me vlerë prej 96 milionë euro.

Këtë vit, theksoi Nikollovski, janë miratuar një numër rekord i ligjeve evropiane, për verën, për zooteknikën dhe për sistemet këshillimore, ndërsa në procedurë parlamentare është edhe ligji për verën, peshkimin dhe akuakulturën.

"Vitin do ta mbyllja me një eksport rekord të verës dhe një eksport rekord të industrisë së konservimit", thekson Nikollovski.

Në vitin 2024 fokusi do të jetë blegtoria ku sipas ministrit subvencionet do të rriten për 300 për qind. sa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR