• e hënë, 23 shkurt 2026

Nikolloski: Problemi me transportuesit është lart në agjendën në Bruksel, pritet një zgjidhje së shpejti

Nikolloski: Problemi me transportuesit është lart në agjendën në Bruksel, pritet një zgjidhje së shpejti

 Shkup, 20 shkurt 2026 (MIA) - Problemi me transportuesit e Maqedonisë së Veriut në lidhje me vendosjen e sistemit të ri EES është pozicionuar shumë larët  në agjendën evropiane dhe pritet një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski.

Në një intervistë për "Top Tema" në TV Telma, ai theksoi se Qeveria po zhvillon aktivitete intensive diplomatike dhe po lobon drejtpërdrejt në institucionet evropiane për mbrojtjen e kompanive të transportit vendas. Njëkohësisht,  theksoi se është nisur një dialog zyrtar me Komisionin Evropian në kuadër të strategjisë së re të vizave, e cila për herë të parë i trajton transportuesit e Maqedonisë si një kategori profesionale. 

 "Konturat janë të qarta, dhe kjo është se me strategjinë e re të vizave, transportuesit njihen për herë të parë si profesionistë, të cilët më parë nuk ishin në atë kategori. Tani ka disa opsione që po shqyrtohen si zgjidhje të mundshme, dhe kjo është që secili shtet anëtar i zonës Shengen të lëshojë viza speciale, me ditët që llogariten vetëm në atë vend, përjashtim i plotë i mëtejshëm i shoferëve duke ndjekur shembullin e pilotëve dhe makinistëve, dhe opsioni i tretë me trajtim si punëtorë ndërkufitarë. Midis këtyre tre modaliteteve tani po gjenden zgjidhje. Deri më tani ka pasur tre takime, njëri ishte në nivel politik, dy ishin në nivel teknik, dhe pres që të gjendet një zgjidhje. Ajo që është një shenjë e vullnetit të mirë për Maqedoninë është se zbatimi i sistemit EES do të shtyhet deri në fund të shtatorit",  tha zëvendëskryeministri Nikolloski.

 Në pyetjen nëse deri atëherë problemi do të zgjidhet, Nikolloski shprehu besim se ka kohë të mjaftueshme dhe bëri thirrje që të mos politizohej çështja.

 "Kjo është një çështje që ka të bëjë me biznesin, jo me politikën, dhe duhet ta mbajmë politikën jashtë saj", shtoi ai.

 Ministri kujtoi se  që vitin e kaluar çështja u shqyrtua në seancat qeveritare, ndërsa  Ministria e Punëve të Jashtme ishte përgjegjëse për komunikimin me partnerët evropianë. Ai tha se institucionet evropiane nuk ishin në dijeni të shkallës së problemit deri në bllokadën e shkaktuar nga sistemi i ri.

 Nikolloski theksoi se për një zgjidhje të mundshme të bazuar në viza, do të ishte e rëndësishme të ketë pajtueshmëri nga shtetet ku transportuesit e Maqedonisë operojnë më shpesh.

 "Çdo shtet anëtar i BE-së duhet të lëshojë viza të veçanta, një përjashtim të plotë siç është rasti për pilotët dhe makinistët, dhe opsioni i tretë është një hibrid midis të parit dhe të dytit", tha ai.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR