• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Nikolloski për "Katimerini": Qytetarët meritojnë të jenë pjesë e BE-së, rruga jonë drejt Unionit është shumë e vështirë

Nikolloski për

Athinë, 29 tetor 2024 (MIA) - Qytetarët tanë meritojnë të jenë anëtarë të BE-së, që të kenë të ardhme më të mirë. Si Qeveri u obliguam se do t'i zbatojmë reformat e domosdoshme që i kemi para nesh. Rruga jonë drejt BE-së është shumë e vështirë, thotë zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në një intervistë për gazetën greke "Katinerini", njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ai thekson se si Qeveri besojnë në vlerat evropiane dhe prandaj luftojnë për t'i bashkuar qytetarët e tyre me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

"Këtë që po bën Bullgaria, duke vënë veto në negociatat tona inkuadruese është e pajustifikuar. Nuk është në pajtim me vlerat evropiane. Kemi një qëllim të qartë dhe besojmë se një ditë do të jemi të barabartë me shumicën e vendeve në Evropë", thotë Nikolloski.

Në intervistën nën titullin "Duam bashkëpunim më të ngushtë", përveç perspektivës së vendit në BE, ai flet edhe për interkonektorin e gazit natyror me Greqinë, për rrjetin hekurudhor, për marrëveshjen me Bullgarinë për Korridorin 8, por edhe porosit se rajoni duhet të veprojë së bashku, ndërsa jo secili vend veç e veç.

Ai shpreh gatishmëri për ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror me Greqinë, duke sqaruar se "për fat të keq gazi ynë natyror plotësisht vjen nga Rusia", dhe prandaj, siç thotë, "duhet ta reduktojmë këtë varësi".

"Zgjidhja për furnizim alternativ të vendit me gaz është gazsjellësi interkonektues Greqi-Maqedonia e Veriut, ai shton se "ky është një projekt i madh që vlen shumë për të dyja vendet, si dhe për një pjesë të madhe të vendeve tjera evropiane".

Plotësisht thekson se "mënyra e vetme për progres është krijimi i projekteve të përbashkëta të cilat do t'i afrojnë edhe më shumë dy vendet", por edhe se nevojitet lidhshmëri më e mirë ndërmjet vendeve nga Ballkani Perëndimor, infrastrukturë dhe komunikim më i mirë, që të përforcohen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet vendeve.

Në intervistën për "Katimerini"-n, zëvendëskryeministri kthehet edhe në vlerën e rrjetit hekurudhor dhe lidhshmërisë hekurudhore, duke theksuar se "hekurudha e re e shpejtë është e ardhmja e rajonit".

"Përmes sistemit të avancuar hekurudhor në rajon do të forcojmë ekonominë, do të krijojmë klimë më të mirë për investime, vende të reja pune dhe kompanitë tona do të mund të eksportojnë dhe importojnë më shumë mallra", tha Nikolloski, transmeton MIA.

Ai shpjegon se transferimi i shpejtë i mallrave nga portet greke në Evropën Qendrore do të sjellë stabilitet në të gjithë rajonin dhe do të ndihmojë ekonomitë, veçanërisht të vendeve të lidhura me Korridorin 10.

"Duhet të veprojmë si rajon, jo si vende individuale, të lëmë mënjanë politikën dhe të fokusohemi në ekonomitë dhe krijimin e rajonit prosperitar", thekson ai në intervistë.

Ai u kthye edhe në marrëveshjen me Bullgarinë për vazhdimin e Korridorit 8, për të cilën thotë se është e rëndësishme dhe se bashkë me Korridorin 10 do të jenë "përfitim më i madh".

"Megjithatë, fqinjët tanë duhet të përkushtohen në zhvillimin e tij. Nuk ka kuptim ne ta ndërtojmë, ndërsa fqinjët tanë jo, komenton ministri dhe sqaron se plani që ekziston nuk është i realizueshëm, por edhe shumë i shtenjtë, përkatësisht 560 milionë euro për 24 kilometra dhe për këtë arsye thekson se duhet të bëhet një plan i ri, përsëri për të llogaritur shpenzimet dhe "Bullgaria duhet të obligohet dhe të garantojë se do të ndërtojë pjesën e saj".

Në intervistë ai thekson se po punohet edhe në një autostradë që do të lidhë Shkupin me kufirin me Bullgarinë, e cila pritet të jetë gati vitin e ardhshëm.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski javën e kaluar mori pjesë në "Forumin e dytë të Lidhshmërisë në Evropën Juglindore"(Southeast Europe Connectivity Forum) që u mbajt në Selanik, ku përveç fjalimit të tij, mbajti një sërë takimesh, mes të cilëve edhe me ministrat e Transporti dhe Çështjet Detare të Greqisë, Hristos Stajkuras dhe Hristos Stilianidis. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR