• e hënë, 31 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Nikolloski në takime në Budapest: Zhvillimi ekonomik dhe integrimet evropiane mbeten prioritetet kryesore të Qeverisë

Nikolloski në takime në Budapest: Zhvillimi ekonomik dhe integrimet evropiane mbeten prioritetet kryesore të Qeverisë

Shkup, 15 janar 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ndodhet për vizitë pune në Budapest, ku sot u takua me Balaah Orban, drejtor politik i shefit të Qeverisë së Hungarisë, si dhe me Ministrin e ekonomisë nacionale, Marton Nagj.

Në fokus të takimeve ishin marrëdhëniet ekonomike dhe politike mes dy vendeve, me theks të veçantë në mbështetjen ekonomike nga Hungaria dhe rritjen e bashkëpunimit tregtar, kumtoi Ministria e Transportit (MT).

Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi reformat ekonomike të Qeverisë për të siguruar rritje të përshpejtuar ekonomike, si dhe luftën kundër korrupsionit. Ai prezantoi prioritetet e Qeverisë për zhvillimin e ekonomisë vendase, realizimin e projekteve kapitale që janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe ndërlidhjen rajonale, si dhe politikat për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në takimet u diskutua edhe për zhvillimin e sektorëve të transportit dhe energjisë, si dhe për projekte me rëndësi rajonale që do ta afrojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

 

Nikolloski, theksojnë nga MT, shprehu gatishmërinë e madhe të Qeverisë për implementimin dhe zhvillimin e korridoreve evropiane si strategjike për rritjen e ekonomive kombëtare në vendet e rajonit.

Në takimet u konfirmuan edhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, ku zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se Hungaria është mbështetëse e fuqishme e Maqedonisë në arritjen e qëllimeve strategjike në rrugën e integrimeve evropiane.

"Kam pasur takime të shkëlqyera me kolegët Balash Orban, i cili është mik i madh i Maqedonisë, dhe Marton Nagj, ministrin e ekonomisë nacionale. Konfirmuam edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy qeverive, por edhe mes dy popujve. Ne po diskutojmë prioritetet në fushën e proceseve ekonomike dhe integrimit evropian dhe konsideroj se mbështetja që na jep Hungaria është e madhe në zhvillimin tonë. Ne vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhëniet tona me miqtë, kurse Maqedonia bëhet më e fortë dhe më me ndikim. Detyra jonë është që të vazhdojmë të ndërtojmë këto marrëdhënie, të thellojmë bashkëpunimin tonë dhe të dëshmojmë se përfitimet e këtij partneriteti i ndjejnë të gjithë qytetarët tanë, tha zëvendëskryeministri Nikolloski pas takimeve të sotme. ls/

Foto: MT

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR