• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nikolloski në takime në BB - Vazhdojmë të zbatojmë reformat e përcaktuara me partnerët tanë, 695 milionë dollarë përkrahje nga BB-ja

Nikolloski në takime në BB - Vazhdojmë të zbatojmë reformat e përcaktuara me partnerët tanë, 695 milionë dollarë përkrahje nga BB-ja

Shkup, 21 prill 2024

Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar dhe vijon fuqishëm në zbatimin e reformave strukturore. Reformat janë përcaktuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë, me ç’rast përkrahja e theksuar në zbatimin e tyre u konfirmua nga Banka Botërore përmes Kornizës së re katërvjeçare të partneritetit me portofol kredie afërsisht prej 700 milionë dollarëve. Konfirmimi i përkrahjes për reformat sot u theksua edhe në takimet e zëvendësministrit të Financave, Filip Nikolloski në Bankën Botërore me nënkryetaren e Bankës Botërore Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore Eugene Rhuggenaath dhe drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Xiaoqing Yu.

“Banka Botërore është partnerja jonë e rëndësishme nga e cila kemi marrë përkrahje të vazhdueshme për mbi 30 vjet në zhvillimin e shoqërisë. Shumë reforma janë përkrahur nëpërmjet projekteve që janë zbatuar deri më tani dhe garantoj se reformat përpara nesh do të zhvillohen në përputhje me Kornizën e miratuar të partneritetit me synimin e qartë drejt anëtarësimit në BE dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme dhe të gjelbër” - theksoi zëvendësministri i Financave.

Ai shtoi se tashmë u miratua grupi i parë i marrëveshjeve të huave nga korniza e re, respektivisht janë siguruar 93.8 milionë euro për politikat zhvillimore, 27.5 milionë euro për përmirësimin e shërbimeve sociale, si dhe 31 milionë euro për përmirësimin dhe zhvillimin e rrugëve.

“Në katër vitet e ardhshme, shtetit i janë vënë në dispozicion 695 milionë dollarë, të cilat do të destinohen drejt përmirësimit të disponueshmërisë së cilësisë së shërbimeve publike, përmirësimit të mjedisit për hapjen e vendeve të reja të punës dhe atyre më mirë të paguara në sektorin privat, përforcimit të rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe reduktimit të ndotjes. Për arritjen e këtyre qëllimeve, projektet fokusohen në fushën e transportit, infrastrukturës komunale, bujqësisë, dixhitalizimit, energjetikës, shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale”, theksoi Nikolloski.

Në këtë takim u shpreh mirënjohje për Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme që i jep vendit dhe u diskutua për mundësitë e reja për thellimin e këtij bashkëpunimi. Tashmë kanë filluar aktivitetet për projektet e reja për zhvillimin e qëndrueshëm të komunave dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit dhe do të shqyrtohen mundësitë për projekte në fushën e tranzicionit energjetik dhe tranzicionit drejt burimeve të energjisë së pastër dhe rritjes së gjelbër, si reagim ndaj ndryshimeve klimatike.  

Takimet u mbajtën në kuadër të pjesëmarrjes së zëvendësministrit të Financave Filip Nikolloski në Takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington.

Krahas takimeve me përfaqësues të lartë të FMN-së, ai u takua edhe me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së Bo Lee, drejtorin ekzekutiv të FMN-së Paul Hilbers, drejtorin alternativ ekzekutiv Luke Dresse, si dhe drejtorin e FMN-së për Evropën Alfred Kammer. Zëvendësministri i Financave mori pjesë edhe në takimin e Konstituencës holandeze-belge, ku bën pjesë Republika e Maqedonisë së Veriut. Takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së janë takime të rregullta, ku këtë vit u mbajtën nga 15 deri më 20 prill, në të cilat përveç zëvendësministrit Nikolloski, mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska Bezhoska.

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR