Nikolloski - Le Rigoler: Avancim i bashkëpunimit ekonomik midis Maqedonisë dhe Francës me fokus në perspektivën evropiane
- Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot takuan me ambasadorin e Republikës së Francës në vend, Kristof Le Rigoler.
- Post By Fami Bajrami
- 10:53, 12 qershor, 2025
Shkup, 12 qershor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot takuan me ambasadorin e Republikës së Francës në vend, Kristof Le Rigoler.
Në takim, siç informon Ministria e Transportit u konfirmuan marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy vendeve dhe njëherësh u shkëmbyen mendime dhe qëndrime të ndërsjella mbi çështjet politike dhe ekonomike në vend dhe rajon.

Zëvendëskryeministri Nikolloski e theksoi miqësinë midis Maqedonisë dhe Francës dhe potencoi mundësinë e avancimit të marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen në zbatimin e projekteve infrastrukturore.
Nikolloski e informoi ambasadorin Le Rigoler me planet zhvillimore të Qeverisë dhe projektet e planifikuara infrastrukturore, veçanërisht projektet që kanë rëndësi rajonale dhe kontribuojnë në zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të vendeve në rajon.
"Në takim u fol gjithashtu për procesin e reformave në vend, integrimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Maqedonia është e fokusuar në procesin e integrimit", theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski, ndërsa politikat qeveritare kanë për qëllim reformimin e vendit dhe luftën kundër korrupsionit.

Dy bashkëbiseduesit, siç theksohet ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy vendeve.
Foto: Ministria e Transportit