• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Nikolloski: Hekurudhë me Bullgarinë do të ketë në atë moment kur të biem dakord që ta përfundojmë së bashku

Nikolloski: Hekurudhë me Bullgarinë do të ketë në atë moment kur të biem dakord që ta përfundojmë së bashku

 Shkup, 25 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski deklaroi se ka filluar dialogu me Bullgarinë për ndërtimin e hekurudhës që është pjesë e Korridorit 8. Ai tha se Bullgaria i ka pranuar argumentet tona dhe pritet një dialog i dytë më 31 tetor.

 "Duke pasur parasysh se Bullgaria më në fund i pranoi argumentet tona, pati një dialog  në Bruksel me përfaqësues të të dyja palëve, dialogu i dytë do të jetë më 31 tetor në Sofje, nëse ka nevojë për dialog të tretë do të takohemi në Shkup, ne jemi të hapur për të gjetur një zgjidhje të përbashkët", tha ministri duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas konferencës së sotme për shtyp ku prezantoi gjashtë destinacione të reja ajrore.

 Nikolloski theksoi se hekurudha ka kuptim vetëm nëse ndërtohet nga të dyja anët.

"Ajo që kam thënë prej muajsh e di që në fillim ishte pa popullaritet, por e konfirmoi ministrja bullgare e Transportit, e cila tha se nuk kanë projekt dhe do ta përfundojnë në vitin 2026 dhe do ta ndërtonin në vitin 2030. Kur thashë që në atë tender që e anulova shkruhej që projekti duhej të përfundonte për katër vjet, pyeta se çfarë do të bënim, sepse nëse e nënshkruanim tenderin në tetor të vitit 2024, duhej të kishte përfunduar në tetor të vitit 2028, ndërsa vetë Bullgaria thotë se do të punojë deri në vitin 2030", shpjegoi ministri.

Potencoi se hekurudhë me Bullgarinë do të ketë, siç tha "në atë moment kur ne dhe Bullgaria biem dakord që hekurudhën ta përfundojmë së bashku, sepse puna është që Shkupi dhe Sofja të bashkohen dhe çmimi të rishikohet".

 "Nuk mund ne të paguajmë 560 milionë euro për 24 kilometra hekurudhë. Nuk mundet. Është e papranueshme, është shumë e shtrenjtë, nuk gjendet askund në botë.  Hekurudhë e shpejtë ndërtohet për 10-12 milionë euro për kilometër, këtu një hekurudhë me 60-80 km në orë, një hekurudhë e ngadaltë, 24 milionë euro, është e papranueshme që të ketë një ndryshim të tillë, sido që të jetë terreni", shtoi ai.

Në takimin në Bruksel, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ranë dakord që bashkërisht ta depërtojnë tunelin e Korridorit 8, i cili  paraqet kusht kyç për realizimin e projektit. 

Foto: Jutjub printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR