• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Nikolloski: Ende nuk kemi biseduar për koalicionim para zgjedhjeve të ardhshme

Nikolloski: Ende nuk kemi biseduar për koalicionim para zgjedhjeve të ardhshme

Prilep, 11 shkurt 2024 (MIA) - Pres fushatë zgjedhore në të cilën do të flasim për atë që ka ndodhur, por edhe për të ardhmen. Se a do të jetë fushata korrekte nuk varet vetëm nga ne, deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikolloski gjatë qëndrimit të sotëm në Prilep kur mori pjesë në llogaridhënien e kryetarit të komunës së kësaj partie.

"Më së paku varet nga ne nëse fushata zgjedhore do të jetë korrekte, sepse ne jemi opozitë, por jam i bindur se do të kemi përkrahje të madhe nga populli", ka thënë Nikolloski.

Lidhur me zhvillimet në Aleancën për Shqiptarët, Nikolloski tha se ka përçarje të madhe në pushtet dhe siç theksoi, "është koha që BDI të shkojë në opozitë".

"Pushteti me vite u përpoq të krijojë përçarje në VMRO-DPMNE, po nuk pati sukses. Por në vend të një fronti të bashkuar siç ishte paralajmëruar, evropian apo nuk e di çfarë, tani do të kemi me sa duket frontin më të përçarë të mundshëm të pushtetit. Është koha që BDI të shkojë në opozitë dhe po krijohet një rezistencë e madhe ndaj BDI-së te partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni", ka deklaruar Nikolloski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse VMRO-DPMNE ka biseduar për koalicionim të ardhshëm me partitë shqiptare, Nikolloski deklaroi se kanë menduar për këtë, por ende nuk e kanë diskutuar.

Për listat e deputetëve dhe njësitë zgjedhore, Nikolloski tha se listat do të dihen deri në fund të marsit dhe fillimit të prillit, ndërsa për bartësit me gjasë më herët.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR