• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ngrihen çmimet e orizit dhe vezëve, te sheqeri dhe mielli për momentin pa ndërhyrje

Ngrihen çmimet e orizit dhe vezëve, te sheqeri dhe mielli për momentin pa ndërhyrje

Shkup, 21 mars 2023 (MIA) - Qeveria sot duhet të ngrijë çmimet e orizit dhe vezëve, por edhe të marrë vendim për kufizim të eksportit të vezëve. Për sheqerin dhe miellin nuk do të ketë ende ndërhyrje. Do të pritet që shitësit t'i bëjnë vetë këto produkte më të lira, ndërsa në vazhdim do të analizohen çmimet në industrinë e mishit. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka autorizime për pemët dhe perimet. Nëse nga atje propozohet ndonjë masë, Ministria e Ekonomisë është e gatshme t'i pranojë.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili dje ka njoftuar për këto vendime të fundit, nuk saktëson se cili do të jetë çmimi i ngrirë i orizit dhe vezëve. Ai nuk ka dashur të bëjë të ditur, siç ka përmendur, para se të shpallej vendimi përfundimtar nga Qeveria.

 

"Ministria e Ekonomisë ka një propozim konkret. Nuk do të jetë çmimi i sotëm, por një nga çmimet e muajit mars. Nuk do të doja ta them publikisht sepse disa tregtarë apo prodhues mund të përgatiten. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi besim te biznesmenët tanë, thjesht nuk do të doja të shpallja para vendimit përfundimtar të Qeverisë. Sa i përket sheqerit dhe miellit presim që çmimet të bien vetvetiu dhe tashmë janë në rënie, por nëse kjo nuk ndodh nga ana e tregtarëve, në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme do të ketë vendime shtesë për çmimet e këtyre produkteve", theksoi Bekteshi.

Çmimet e produkteve të mishit të importuara, siç bëri të ditur ai, do të jenë një nga masat e radhës që do të analizojë Ministria e Ekonomisë.

Sipas Bekteshit, edhe pse kërkesa për vezë nga Maqedonia nga vendet e rajonit është rritur, tregu i brendshëm nuk do të ketë mungesë dhe as nuk do të lejohet rritje e çmimeve për festat e ardhshme.

"Duhet të kemi kujdes për produktet bujqësore, frutat dhe perimet. Duke qenë se mënyra se si funksionojnë këto kultura është specifike, ne nuk kemi një mundësi të madhe për të bërë analiza të hollësishme. Nëse MBPEU ka kapacitete të tilla, të dhënat dhe rekomandimet e tyre janë të mirëseardhura. Në fushën e produkteve të tjera, në fushën e importeve dhe në atë të prodhimit, ne monitorojmë çdo gjë në baza ditore", nënvizoi Bekteshi.

Nga 16 marsi janë ngrirë çmimet e pastave dhe produkteve të qumështit, ndërsa çmimi i bukës është ngrirë nga 28 shkurti. Në atë kohë u hoqën edhe subvencionet për energjinë elektrike që merrnin kompanitë nga industria ushqimore.

Ministri Bekteshi javën e kaluar paralajmëroi se në prill janë të mundshme masa të reja për çmimet. ls/ 

 

QËNDRONI TË LIDHUR