Ngjarjet e mbrëmshme në Kumanovë duhet t'i dënojë çdo qytetar i këtij vendi sepse nuk na çojnë përpara, thotë Murtezani
- – Ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Orhan Murtezani i dënoi ngjarjet e mbrëmshme në Kumanovë dhe vlerësoi se ka mundësi që ato të jenë shkaktuar me qëllim që të krijohet destabilizim, ndërsa policia duhet, thotë, t’i hetojë dhe zgjidhë.
- Post By Fitore Curri
- 16:40, 2 dhjetor, 2024
Shkup, 2 dhjetor 2024 (MIA) – Ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Orhan Murtezani i dënoi ngjarjet e mbrëmshme në Kumanovë dhe vlerësoi se ka mundësi që ato të jenë shkaktuar me qëllim që të krijohet destabilizim, ndërsa policia duhet, thotë, t’i hetojë dhe zgjidhë.
“Mendoj se për këtë duhet të flasin organet e rendit dhe qetësisë, gjegjësisht policia. Ngjarje të tilla gjithsesi se nuk ndihmojnë, se ndoshta janë dizajnuar me qëllim që të krijojnë incidente, tensione, destabilizime për të cilat ne flasim tashmë një periudhë të gjatë. Gjithsesi se edhe unë i dënoj dhe duhet t’i dënojë çdo qytetar i këtij vendi, sepse ngjarjet e tilla nuk na çojnë përpara”, thotë Murtezani i pyetur në cilësinë e përfaqësuesit të koalicionit VLEN i cili është pjesë e Qeverisë, për koment për ngjarjet e mbrëmshme në Kumanovë.
Mbrëmë në Kumanovë ishin djegur një objekt afarist në rrugën “11 Tetori” dhe tre automjete në rrugën “Tërst”, “Vardarska” dhe “Nikolla Vapcarov”, prej të cilëve njëri “folsvagen pasat” ishte në pronësi të prokurorit publik, Xhelal Bajrami.
Mbikëqyrje ka kryer ekipi i SPB Kumanovë, është njoftuar edhe prokurori publike dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve. fc/
Fotografia: MIA