• e premte, 27 dhjetor 2024

Nga Kumanova filloi karvani për informim dhe vaksinim

Nga Kumanova filloi karvani për informim dhe vaksinim
Kumanovë, 19 tetor 2022 (MIA) – Qytetarët duhet të vaksinohen, të rritet përqindja e fëmijëve të vaksinuar siç ishte në të kaluarën, porositën sot përfaqësuesit nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët së bashku me mbështetjen e Agjencisë së SHBA-së për zhvillim ndërkombëtar (USAID), Fondi për fëmijë pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e filluan karvanin për informim dhe vaksinim.
Kumanovanët sot me durim kanë pritur t'u bëhen kontrolle të përgjithshme para se të marrin vaksinë.
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, shprehet i kënaqur me interesimin e qytetarëve të Kumanovës. Promovimi synon të ofrojë komunikim të drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet që lidhen me vaksinën, pavarësisht nëse është kundër KOVID-19 ose vaksinimi i rregullt kalendar.
"E keni parë se interesimi i qytetarëve është shumë i madh në Kumanovë dhe posaçërisht na gëzon që mund të komunikojmë drejtpërdrejt me personat e interesuar për vaksinimin dhe mbrojtjen nga gripi sezonal, sigurisht edhe nga KOVID 19. Ne si shoqëri e dimë që jemi më pak të vaksinuar se përqindja e kërkuar e mbrojtjes së popullsisë dhe vazhdojmë me fushata në një mënyrë tjetër për të komunikuar me publikun për të rritur përqindjen e vaksinimeve në vendin tonë. Gjithashtu shfrytëzoj rastin të falënderoj të trija organizatat që janë vazhdimisht pranë nesh dhe punojmë së bashku për të mbrojtur popullatën", deklaroi ministri Sali.
Vaksinimi është një mjet i rëndësishëm që parandalon përhapjen e sëmundjeve infektive, thotë Xheri Dajbël, përfaqësuese e Zyrës së USAID-it në vend. Ajo tha se është kënaqësi të bashkëpunojmë me Ministrinë e Shëndetësisë, UNICEF-in dhe OBSH-në. Karvani do të udhëtojë në të gjithë shtetin për t'u ofruar informacione për vaksinat dhe vetë vaksinat për qytetarët e komuniteteve lokale. Sot, përveç në Kumanovë, karvani do të jetë edhe në Çerkez, në oborrin e shkollës nga ora 12:30 deri në 14:30 dhe në Nagoriçane të Vjetër, para komunës nga ora 15:00 deri në ora 17:00. fb/

QËNDRONI TË LIDHUR