• e shtunë, 23 nëntor 2024

Nga e hëna do të mund të merren certifikata nga Librat amë, thotë Lloga

Nga e hëna do të mund të merren certifikata nga Librat amë, thotë Lloga

Shkup, 12 korrik 2023 (MIA) - Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga vlerëson se qytetarët nga e hëna do të mund t'i nxjerrin certifikatat nga Librat amë.

Sipas tij, i është thënë drejtorit të Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë se duhet të gjitha certifikiatat t'u jepen qytetarëve sipas Udhëzimit të vjetër.

"Gjykata Kushtetuese duhej në vendim të thotë, deri në zgjidhjen e kontestit se cilat janë hapat e tyre, që të mos ngelet kjo zbraztirë në sistem. I është thënë drejtorit të Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave amë se duhet të gjitha certifikatat sipas udhëzimit të vjetër t'u jepen qytetarëve. Nuk e di se kush po e pengon punën, ata kanë kërkuar mendim edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe nga organe të tjera. Besoj se nga e hëna do të mund të merret certifikata nga Librat amë", tha Lloga në pjesëmarrjen e sontme si i ftuar në TV Sitell.

Sipas tij, midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese nuk ka kurrfarë konflikti.

"Gjykata Kushtetuese e vendosi akt-vendimin e Ministrisë jashtë funksionit. Ne e respektojmë këtë vendim dhe Gjykata Kushtetuese e ka mbështetjen tonë për të gjitha vendimet e radhës. Ky nuk është konflikt me Gjykatën Kushtetuese, por zhvillim i demokracisë. Kjo ndodhë rrallë në rajon, komunikimi është në nivel dhe ne e kemi pranuar mirë dhe e përshëndetëm nismën e tyre. Gjykata Kushtetuese solli masë të përkohshme ditën kur isha i pranishëm atje dhe kur me ju i ndamë Gazetat zyrtare se Gjykata Kushtetuese nuk ka hyrë në materien e aktit, por vetëm në pjesën formale dhe se nuk është respektuar afati kushtetues. Edhe atëherë thashë se ka lëshim dhe se do ta tërheq udhëzimin, si edhe se do të ketë një vendim të ri, në pajtim me Kushtetutën - shtatë ditë nga nënshkrimi deri në ditën e publikimit", sqaroi Lloga.

Ai pohon se nisma e Ministrisë për certifikatat me grafën etnike, nuk është jokushtetuese. Tregoi edhe akte të cilat, siç tha, janë të bazuara mbi Ligjin për Libra amë nga viti 1995. Grafa etnike, përmendi, po keqpërdoret, veçanërisht gjatë punësimeve.

"Në pjesën më të madhe përkatësia etnike po keqpërdoret gjatë punësimit. Këtu jam që ta mbroj fillimisht qytetarin tonë, pasi nëse nuk ka funksionar partiak ose të lartë nuk mund të punësohet. Kjo grafë është duke u keqpërdorur që disa njerëz të caktuar të hyjnë në punë", potencoi Lloga.

Ministri sqaroi edhe pse ka pasur keqkuptime rreth nismës në opinion.

"E di pse kjo ngriti disa keqkuptime - sepse që në ditët e para të ashtuquajturat Shoqatat bullgare thanë se për 250 denarë do të mund të nxirrnin çfarëdo dokumenti që do të kërcënonte deri diku identitetin apo realitetin e përkatësisë etnike, por unë thashë se nëse ndonjë vend dëshiron të abuzojë me këtë gjë, do të ndërpritet në të njëjtën ditë nga unë dhe do të shfuqizohet", theksoi ministri.

Ai sot në Gjykatën Kushtetuese i dorëzoi dhjetë Nisma në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe dhjetë në emrin e tij personal si qytetar për ngritjen e procedurave për vlerësimin e kushtetutshmërisë së rregullave të publikuara në Gazetën zyrtare në kundërshtim me nenin 52 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese paraprakisht solli masë të përkohshme për ndalimin e vendimit të ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga për grafën e kombësisë në certifikatat e Librit amë të të lindurve.

Lidhur me zjarrin në Gjykatën e Kumanovës, Lloga tha se akoma nuk ka informacione zyrtare se çfarë është humbur.

Ai përkujtoi se sot, përmes kumtesës, Ministria e Drejtësisë ka treguar se Gjykata është paralajmëruar në kohë nga Komisioni për mbikëqyrje mbi punën e sistemit AKMIS.

Kryetarja e Gjykatës së Kumanovës, Snezhana Manev sot i mohoi akuzat nga Ministria e Drejtësisë për keqpërdorimin e sistemit AKMIS. Sipas saj, nuk ka keqpërdorime në sistemin AKMIS.

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR