Nga aplikimi deri në hapjen e bisedimeve, 21 vjet udhëtim i Shqipërisë drejt BE-së
- - Shqipëria sot e hapi grup-kapitullin e gjashtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme, në kuadër të Konferencës së Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel.
- Post By Fitore Curri
- 19:56, 17 dhjetor, 2024
Tiranë, 17 dhjetor 2024 (MIA) - Shqipëria sot e hapi grup-kapitullin e gjashtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme, në kuadër të Konferencës së Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel.
Grup-kapitulli përmban dy kapituj: kapitulli 30 – marrëdhëniet e jashtme dhe kapitulli 31 – politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.
Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të pestë më 15 tetor që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Por, historia e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe familjes evropiane daton që në vitin 2003, kur Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, u identifikua si një kandidate e mundshme për anëtarësim në BE gjatë samitit të Këshillit Evropian të Selanikut në qershor të vitit 2003.
Në vitin 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në BE.
Në mendimin e tij për aplikimin e Shqipërisë (në 2010), Komisioni vlerësoi se përpara se negociatat e anëtarësimit të hapeshin zyrtarisht, Shqipërisë i duhej ende të arrinte një shkallë të nevojshme përputhshmërie me kriteret e anëtarësimit dhe në veçanti të përmbushte 12 prioritetet kryesore të identifikuara në mendim.
Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit për në BE, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurave parlamentare. Në qershor 2014, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat nga BE, ndërsa në prill 2018, Komisioni lëshoi një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Në konkluzionet e tij të qershorit të vitit 2018, Këshilli përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019, në varësi të progresit të bërë në fusha kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimet e inteligjencës dhe administrata publike.
Në konkluzionet e tij të qershorit të vitit 2019, Këshilli mori parasysh rekomandimin e Komisionit, ndërsa në mars të vitit 2020, anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe në korrik 2020, drafti i kuadrit negociator iu prezantua shteteve anëtare.
Në korrik të vitit 2022 u mbajt Konferenca Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe në muajin e njëjtë Komisioni filloi procesin e shqyrtimit, i cili po ecën pa probleme.
Në korrik të vitit 2023, Komisioni Evropian i paraqiti Këshillit raportin e shqyrtimit për Klasterin 1 duke përfshirë standardet për hapjen e negociatave të anëtarësimit për këtë grup.
Më 15 tetor 2024 u hap grup-kapitulli i “Themeloreve”, që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Duke u falënderuar për mbështetjen kryeministri Edi Rama, mes tjerash porositi se “qëllimi ynë është që t’i mbyllim bisedimet në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE në këtë dekadë”.
Sipas tij asgjë nga kjo nuk mund të kishte ndodhë pa mbështetjen e plotë të vendeve anëtare, por, “duhet të them se sot kemi pasqyrë më të plotë dhe më të qartë për punën e bërë”
Rama shtoi se ky nuk ishte proces i lehtë, gjatë kësaj duke theksuar se “ne e kemi të qartë dhe jemi të vetëdijshëm se Evropën nuk e bashkon vetëm gjeografia, por vlerat, demokracia, sundimi i drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe siguria. fc/
Fotografia: EPA