• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Netanjahu hodhi poshtë si "absurde" akuzat në gjykimin për korrupsion

Netanjahu hodhi poshtë si

Tel Aviv, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot për herë të parë dëshmoi pasi filloi gjykimi i tij për korrupsion para më shumë se katër viteve, duke hedhur poshtë ato që ai i quajti "absurde" akuzat kundër tij.

Seanca dëgjimore me tre gjyqtarë u zhvillua në një dhomë të nëndheshme të Gjykatës së Qarkut në Tel Aviv, e kryesuar nga gjyqtarja Rivka Fridman-Feldman, pasi ajo u zhvendos nga Jerusalemi për arsye sigurie.

Netanjahu akuzohet për mashtrim, përvetësim dhe ryshfet. Akuzat ndaj tij lidhen me faktin se ai i ka dhënë privilegje gjigantit të telekomunikacionit Bezek në kohën kur ishte ministër i komunikimeve. Thuhet gjithashtu se ai ka pranuar dhurata luksoze nga miqtë miliarderë.

Kryeministri izraelit gjithmonë i ka mohuar akuzat. Në një konferencë për shtyp të mbajtur mbrëmë, Netanjahu e quajti gjyqin një "gjueti mizore shtrigash".

"Kam tetë vjet që pres për të paraqitur të vërtetën. Prej tetë vitesh prisja të përgënjeshtroja njëherë e përgjithmonë akuzat gjithmonë të pabesueshme dhe qesharake kundër meje", tha ai.

Demonstruesit u mblodhën para gjykatës për të protestuar kundër kryeministrit dhe politikave të tij. "Nuk ka imunitet ndaj korrupsionit", shkruhej në një nga pankartat, njoftoi DPA.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të Netanjahut për të shtyrë më gjatë dëshminë për shkak të luftës në rajon.

Në vend të kësaj, gjyqtari e lejoi Netanjahun të merrte shënime me informacione të rëndësishme për zhvillimet politike gjatë seancave.

Gjithsej 12 ministra në kabinetin e Netanjahut kërkuan gjithashtu shtyrjen e dëshmisë së kryeministrit. Të pranishëm në sallën e gjyqit sot ishin disa ministra.

Kjo është hera e parë që një kryeministër në detyrë gjykohet në Izrael. Procesi gjyqësor mund të vazhdojë edhe për disa vite të tjera.

Netanjahu pritet të dëshmojë tre herë në javë për rreth dy muaj. sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR