• e premte, 27 dhjetor 2024

Nesër takim Kovaçevski- Mickoski

Nesër takim Kovaçevski- Mickoski
Shkup, 2 korrik 2022 (MIA) – Kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër do të realizojë takim me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski. “Në kuadër të konsultimit të gjerë i cili filloi të realizohet menjëherë pas marrjes së propozimit evropian, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë takim me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ky takim është rezultat i një sërë takimeve të planifikuara konsultative me liderët e opozitës, si pjesë e konsultimit të gjerë për propozimin e presidencës franceze”, njoftoi sonte Qeveria. Në njoftim theksohet se pas marrjes së propozimit të presidencës franceze, kryeministri Kovaçevski ka zhvilluar takime konsultative me liderët e koalicionit qeveritar, korin diplomatik, sektorin civil dhe përfaqësues të ekspertëve dhe mediave. “Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi se çdo vendim mbi propozimin do të merret me dialog dhe konsultime në interes të së ardhmes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksohet në njoftim. Takimi, siç u konfirmua paraprakisht nga burime qeveritare për MIA-n do të mbahet në ora 15:00 në Klubin e deputetëve. Mickoski sot e mbështeti dhe mori pjesë në protestën para Qeverisë nën moton “Ultimatum- Jo faleminderit”. “Unë nuk dua të jem në Evropë, sepse kam të drejtë të jem maqedonas i cili flet gjuhën maqedonase dhe lufton për Maqedoninë e tij, identitetin e tij, kulturën e tij, historinë e tij dhe trashëgiminë e tij”, tha Mickoski. Presidenti Stevo Pendarovski, madje për nesër pasdite në kabinetin e tij konvokoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ku do të shqyrtohet propozimi i modifikuar i presidencës franceze me BE-në për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Në mbledhje krahas anëtarëve të Këshillit të Sigurisë do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

QËNDRONI TË LIDHUR