• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ndryshimet e ligjeve për arsimin e lartë dhe për Kodin zgjedhor para deputetëve

Ndryshimet e ligjeve për arsimin e lartë dhe për Kodin zgjedhor para deputetëve

Shkup, 7 mars 2024 (MIA) - Deputetët e miratuan rendin e ditës së seancës së 147-të në të cilën do të diskutojnë për Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për arsimin e lartë dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit zgjedhor, të dy me procedurë të shkurtuar, pasi paraprakisht ato do t'i shqyrtojnë komisionet amë (për arsim, shkencë dhe sport dhe sistem politik) dhe Komisioni ligjdhënës-juiridik.

Deputeti Arbër Ademi kumtoi se me plotësimet e Ligjit për arsim të lartë do të unifikohen pagat në të gjitha universitetet shtetërore, me çka, tha, do të arrihet harmonizim i koeficientëve dhe status i njëjtë i të punësuarve në të gjitha universitetet.

Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar, siç tha deputeti Martin Kostovski, qëllimi është të përsoset korniza ekzistuese ligjore dhe të përshtaten dispozitat nga zgjidhja ekzistuese ligjore në drejtim të një procesi gjithpërfshirës zgjedhor për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje - të gjithë votuesit me të drejtë vote të regjistrohen në listat zgjedhore, me heqjen e kufizimeve në bazë të dokumenteve të skaduara për identifikim.

Me ndryshimet duhet të qartësohen procedurat për përfshirje të personave në listat zgjedhore që do të mbushin 18 vjeç ndërmjet dy raundeve zgjedhore. Me dispozitën kalimtare të këtij propozimi rregullohet e drejta votuesit të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën prej nëntë muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Kuvendi do ta vazhdojë seancën e 147-të në orën 13:30 pasi këto dy propozime do të shqyrtohen nga komisionet amë dhe nga Komisioni ligjdhënës-juridik. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR