Ndryshime të reja në Ligjin për Sëmundjet Ngjitëse në ENER: Vendosim digjitalizim dhe sistem elektronik për raportimin e sëmundjeve ngjitëse
- Ministria e Shëndetësisë njofton se në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve ENER janë publikuar ndryshimet dhe plotësimet më të fundit të Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse.
- Post By Melahat Baftija
- 17:12, 4 mars, 2026
Shkup, 4 mars 2026 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë njofton se në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve ENER janë publikuar ndryshimet dhe plotësimet më të fundit të Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse.
"Ndër risitë më të rëndësishme të përfshira në këto ndryshime ligjore është plotësimi i listës së sëmundjeve ngjitëse që i nënshtrohen raportimit të detyrueshëm, si dhe unifikimi i mënyrës së funksionimit të ALERT 2.0 – sistemi sindromik për njoftim dhe paralajmërim të shpejtë, në përputhje me grupin e simptomave dhe shenjave të pranishme te pacientët", bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Nga atje shtojnë se me ndryshimet më të fundit të Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse parashikojmë vendosjen e një sistemi elektronik për raportimin e sëmundjeve ngjitëse që i nënshtrohen raportimit të detyrueshëm.
"Gjithashtu, parashihet digjitalizimi dhe mbrojtja e të dhënave personale përmes shtimit të një neni të ri që mundëson përdorimin e platformave online dhe aplikacioneve inteligjente, duke eliminuar njëkohësisht rrezikun e keqpërdorimit të paautorizuar të të dhënave", sqaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Nga Ministria e Shëndetësisë shtojnë se me ndryshimet ligjore parashihet obligimi për edukim të vazhdueshëm në fushën e DDD-së (dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim), i cili do të zbatohet nga Instituti i Shëndetit Publik, si dhe zgjerimi i listës së patogjenëve dhe ndërlidhja informatike e laboratorëve mikrobiologjikë. mb/
Foto: MIA