• e premte, 27 dhjetor 2024

Ndahen certifikatat për personat e paevidentuar në librin amë të të lindurve (PLT)

Ndahen certifikatat për personat e paevidentuar në librin amë të të lindurve (PLT)

Shkup, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Zulfia Amza, Ferdikan Selmani dhe Leonardo Memedi janë disa nga qytetarët që sot iu dhanë për herë të parë certifikatat nga libri amë i të lindurve. Ato kanë qenë pjesë e 526 rasteve të trajtuara nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë në lidhje me personat e paevidentuar që kanë bërë beteja me dekada për t'u regjistruar në librin amë të të lindurve. Deri më tani, nga 526 lëndë, 409 janë zgjidhur, ndërsa 117 qytetarët e mbetur pritet të marrin certifikatën e tyre deri në fund të këtij viti. 

Në ngjarjen e sotme me rastin e dhënies së certifikatave të lindjes për personat të cilët nuk janë evidentuar deri më tani në librin amë të të lindurve, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se këto probleme tashmë janë në të kaluarën.

"Sot i dhamë fund një problemi të zjarrtë prej tre dekadash me të cilin përballen qindra qytetarë të lindur në territorin e vendit tonë, por që nuk ishin regjistruar në librin amë dhe nuk kishin certifikata lindjeje. Këta qytetarë tanë nuk kishin dokumente identifikimi, nuk mund të mjekoheshin, nuk mund të punësoheshin, nuk mund të martoheshin, as të rregullonin statusin e fëmijëve të tyre, thjesht nuk ishin në sistemin e shtetit", tha kryeministri. 

Ai u falënderua për angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe  Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë dhe posaçërisht theksoi rolin e deputeteve Sonja Mirakovska, Latifa Shikovska dhe Snezhana Kaleska - Vançeva, të cilat përgatitën amandamente në Ligjin për Evidentimin Amë me të cilin sistematikisht vazhdoi të zgjidhet problemi me personat që nuk janë të regjistruar në librin amë të të lindurve.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga theksoi se këta persona nuk do të jenë më të margjinalizuar.

"Zero persona të paevidentuar. Vendi i parë në Evropë, dhe i dyti në botë që zgjidh problemin me të paevidentuarit. Këta njerëz nuk do të jenë më të margjinalizuar, të diskriminuar. Ata kanë qasje në shëndetësi dhe mbrojtje sociale, arsim dhe qasje në drejtësi, tha ministri.

Deputetja Sonja Mirakovska theksoi se reflektimet në këtë fushë janë padyshim domethënëse për cilësinë e jetës së këtyre njerëzve të cilët për herë të parë kanë marrë një dokument me të cilin mund të thonë “unë i përkas”, që siç informoi, është motoja e planit global të veprimit 2014-2024, viti i Kombeve të Bashkuara për t'i dhënë fund pashtetësisë.

Drejtori i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Emir Sulejmani informoi se Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë trajton gjithsej 526 lëndë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, prej të cilave 409 janë zgjidhur pozitivisht dhe të njëjtave u janë lëshuar certifikata të lindjes. Siç shtoi ai, 117 lëndët e mbetura janë në procesim dhe do të përfundojnë deri në fund të vitit. 

MIA paraprakisht ka shkruar edhe për pesëdhjetë e pesë vjeçaren Zulfia Amza, një grua e papunë e cila asnjëherë nuk ka vizituar mjek, së cilës sot iu realizua ëndrra dhe mori certifikatën nga libri amë i të lindurve. ls/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR