• e enjte, 26 dhjetor 2024

Naumovski: Pa qeveri stabile në Bullgari, nuk kemi partner për bisedime për ndonjë ndryshim

Naumovski: Pa qeveri stabile në Bullgari, nuk kemi partner për bisedime për ndonjë ndryshim

Shtip, 14 nëntor 2024 (MIA) - Qëllimi i diplomacisë sonë është ta mbyllim çështjen me Bullgarinë fqinje dhe konform kësaj të fillojmë zyrtarisht negociatat, theksoi sot profesori universitar Vasko Naumovski nga Fakulteti Juridik "Justiniani i Parë" në Shkup. Por, sipas tij edhe pse në Bullgari do të formohet qeveri e re, ajo nuk do të jetë e qëndrueshme dhe për këtë, siç thotë ai, "ka më pak gjasa që të arrihet një zgjidhje në kontestin tonë dypalësh".

"Kemi pasur zgjedhje në Bullgari, sa i përket vlerësimit të forcave politike atje, sipas paralajmërimeve të para që dëgjojmë nga liderët e partive politike në Bullgari, nuk do të isha shumë optimist që në një të ardhme të afërt të mund të shpresojmë në formimin e një Qeverie të qëndrueshme politike dhe ka shumë gjasa që gjatë vitit të ardhshëm të jemi dëshmitarë të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare në Bullgari. Që do të thotë se do të ketë edhe më pak gjasa për të arritur një zgjidhje në lidhje me kontestin tonë dypalësh. Mbetet ai komunikim që lideri ynë politik ka me presidentin Radev. Megjithatë unë personalisht mendoj se derisa të kemi një qeveri të qëndrueshme politike në Bullgari, nuk do të kishim një partner me të cilin do të mund të diskutonim ndonjë ndryshim në atë që është rënë dakord nga qeveria e mëparshme", theksoi Naumovski.

Ai theksoi se sipas cikleve të mëparshme të zgjerimit, BE-ja tenton të pranojë më shumë vende në një cikël. Por, siç thotë ai në rastin tonë, vendi ynë është në një situatë absurde, sepse tashmë flitet për anëtarësim të Ukrainës dhe Moldavisë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë përpara këtyre vendeve dhe kanë pengesa dypalëshe.

"Këtu është problemi i dytë që ka BE-ja, mungesa e një mekanizmi për të kapërcyer ato probleme dypalëshe, pra problemet që ekzistojnë mes një shteti anëtar të BE-së dhe një shteti kandidat dhe në vend që të fokusohet në kriteret e Kopenhagës dhe përmbushjen e standardeve evropiane jemi marrë me çështje të historisë të cilat në asnjë mënyrë nuk kanë të bëjnë me plotësimin e kushteve", thotë Naumovski.

I pyetur nëse administrata e presidentit të ri të SHBA-së do ta ndihmonte vendin tonë për të hyrë në BE, Naumovski u përgjigj se administrata e re amerikane nga janari do të merret seriozisht me zgjidhjen e disa problemeve në botë duke përfshirë edhe bashkimin e plotë të Evropës.

"Ajo që mund të supozohet është se nëse jemi dëshmitarë të një angazhimi më të fortë të diplomacisë amerikane në Ballkan për të mbyllur çështjet që janë pengesë për zgjerimin e BE-së, mund të shpresojmë në njëfarë inkurajimi nga administrata amerikane e vendeve kandidate, të shteteve anëtare dhe institucioneve evropiane që të mbyllin të gjitha çështjet dhe përfundimisht të lëvizin drejt përfundimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor", deklaroi Naumovski.

Në panel diskutimin e sotëm në universitetin "Goce Delçev" në Shtip me temë "Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian - Agjenda e BE-së për Ballkanin perëndimor", morën pjesë dhe deputetet Monika Zajkova dhe Marija Petrushevska.

Deputetja Zajkova theksoi se do të ishte e shëndetshme që në Bullgari të ketë një qeveri politikisht stabile dhe ajo që do të ishte e dobishme për Maqedoninë është që negociatat për kapitujt të fillojnë sa më shpejt.

Deputetja Petrushevska theksoi se sot me studentët kanë mundësi të diskutojnë mbi një temë të rëndësishme e cila është agjenda evropiane dhe Ballkani Perëndimor. Pret një debat demokratik ku do të shkëmbehen mendime me studentët të cilët janë e ardhmja e vendit tonë. Ngjarja është organizuar nga Fondacioni "Konrad Adenauer", Qendra për Studime Evropiane "Vilfrid Martens" në Bruksel, Universiteti "Goce Dellçev" - Shtip dhe Akademia për Integrime Evropiane në Shkup. rq/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR