• e enjte, 26 dhjetor 2024

Najt: Në Kosovë jemi për të siguruar stabilitet, që të mund të ketë zgjidhje politike

Najt: Në Kosovë jemi për të siguruar stabilitet, që të mund të ketë zgjidhje politike

Shkup, 25 shtator 2023 (MIA) - Dua t'i shpreh ngushëllime familjeve të oficerit të ndjerë dhe unë kam qenë polic, i di rreziqet që dalin nga kjo punë, megjithatë e di se aksione të këtilla nuk janë zgjidhje, deklaroi komandanti i Gardës nacionale të Vermontit, gjeneral-majori Gregori Najt.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe vlerësimin e tij për situatën, Najt tha se ky është aktivitet shumë serioz.

"Ne jemi aty 23 vite, mund të them se ka zgjidhje. Aty jemi që të sigurojmë stabilitet që të mund të ketë zgjidhje politike, megjithatë, kjo nuk është mënyra që të arrihet kjo", tha ai.

Kreu i policisë Afrim Bunjaku u vra të dielën në një sulm të një grupi të armatosur në veri të Kosovës dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpalli 25 shtatorin ditë zie në vend.

Paraprakisht, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp me ministrin e Mbrojtjes së Norvegjisë, Bjorn Arild Gram, ministrja Petrovska tha se situata në Kosovë po ndiqet nga afër, duke pasur parasysh se vendi merr pjesë me trupa në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe se nuk është e thjeshtë për askënd, siç tha, kur "ka një incident në rajon, veçanërisht kur sulmohet policia e një vendi të caktuar".

Ngjarjet në Kosovë i ka dënuar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili përsëriti se nuk ka rrezik rreth gjendjes së sigurisë në vend. Sipas Kovaçevskit, prapa asaj që ka ndodhur në Kosovë ekziston ndonjë axhendë e dikujt me qëllim që rajoni sërish të shihet si rajon i trazirave dhe zënkave mes fqinjëve.

Kreu i Policisë së Kosovës Bunjaku mbeti i vrarë dhe një polic tjetër kufitar u plagos në një sulm nga, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, rreth 30 persona të maskuar dhe të uniformuar, të cilët posedonin armë të rënda, në fshatin Banjskë, afër Zveçanit, në veri të Kosovës.

Pas reagimit të specialistëve kosovarë, Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar sot se ka gjetur trupin e pajetë të një tjetër sulmuesi të dyshuar në veri të vendit, duke sjellë numrin e të vrarëve nga radhët e grupit të armatosur dhe të maskuar që sulmoi policinë e Kosovës është rritur në katër. mb/

Foto: Mnistria e Mbrojtjes

QËNDRONI TË LIDHUR