• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nëse mundësohen kushte të mira do të ketë mësim në gjuhën shqipe, thotë Janevska për problemin në Çashkë

Nëse mundësohen kushte të mira do të ketë mësim në gjuhën shqipe, thotë Janevska për problemin në Çashkë

Shkup, 3 korrik 2024 (MIA) - Mësim në gjuhën shqipe në komunën e Çashkës nga shtatori do të ketë nëse mundësohen kushte të mira për nxënësit, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në përgjigje të pyetjes nëse ka diskriminim në rastin me SHFK "Todor Janev" në Çashkë ku vitin e kaluar shkollor pati protesta nga prindërit.

Ministrja theksoi  se të drejtat e secilit do të respektohen sipas ligjit, por zgjidhja më adekuate, tha, do të kërkohet pasi do të mblidhet dhe shqyrtohet dokumentacioni për rastin konkret.

Ajo theksoi se prindërit e dhjetëra fëmijëve për të cilët kërkohet mësim në gjuhën shqipe në atë shkollë, "para se të fillojë problemi" kishin nënshkruar deklarata se fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën maqedonase, sepse, tha Janevska, mjedisi është me përbërje të përzier etnike dhe ata i dinë të dy gjuhët. Problem shtesë është, shtoi ajo, që një pjesë e tyre nuk janë me adresë banimi në atë rajon.

"Sidoqoftë, çfarëdo që të ndodh, MASH do të bëjë gjtihçka që kjo të zgjidhet në interes të fëmijëve", deklaroi Janevska para fillimit të konferencës për shtyp për arsimin gjithëpërfshirës që sot e organizoi Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Ajo shtoi se për problemin me shkollën "Todor Janev" në Çashkë dhe mënyrën si është zgjidhur nga MASH kishte shumë parregullsi "madje deri në atë pikë sa fëmijët që duhej të mësonin në gjuhën shqipe ishin akomoduar në një objekt shkollor që ishte e mbyllur dhe përbënte rrezik për jetën e tyre".

"Drejtoresha e atëhershme bëri shumë shkelje, pra që këtu u arrit një farë marrëveshje për të cilën në MASH-i nuk ka kurfarë dokumenti, kështu që ne tani kërkojmë nga Komuna të shohim se çfarë ka ndodhur në atë marrëveshje të nënshkruar nga ministri, përfaqësuesit e prindërve dhe, më duket, nga kryetari i Komunës. Do të thotë, të drejtat e të gjithë qytetarëve në këtë shtet do të respektohen me ligj. Çfarë do të jenë implikimet fiskale për zgjidhje të këtij problemi, për komentin nuk mund t'ju them sepse po e mbledhim dokumentacionin. Por, me të vërtetë është e paimagjinueshme në Ministri, ku ministri është nënshkruar, të mos ketë dokumentacion për rastin e këtillë", tha Janevska.

Vitin e kaluar pati tensione në SHF "Todor Janev" në Çashkë dhe disa muaj protesta të prindërve të cilët nuk lejonin që fëmijët shqiptarë të mësojnë në gjuhën shqipe sepse pas riorganizimit në shkollë mësimi kryhet vetëm në gjuhën maqedonase.

Prindërit e nxënësve maqedonas nuk lejonin hapjen e paraleles në gjuhën shqipe, të cilën e miratoi MASH-i, ndërsa e pranoi drejtoresha Elena Nikollova e emëruar nga ministri i kaluar, Jeton Shaqiri, pasi që ai ia mori ingerencat ndaj shkollës fillore "Todor Janev" kryetarit të komunës së Çashkës, Goran Stojanovski.

Qeveria në shkurt vendosi mësimi i të gjithë nxënësve në atë shkollë fillore, përkohësisht, përkatësisht deri në fund të vitit shkollor 2023/2024, të realizohet në objektin ekzistues. Sipas marrëveshjes, nxënësit shqiptarë do të kenë mësim në gjuhën shqipe në hapësirat e shkollës "Todor Janev" deri në përfundimin e vitit shkollor, por në mënyrë administrative do të jenë nën SHF "Liria" ku mësohet në gjuhën shqipe. sa/ab/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR