• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim të Bankave Qendrore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim të Bankave Qendrore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

 Shkup, 14 shtator 2024 (MIA) - Banka Popullore (BP) e Maqedonisë së Veriut dhe Banka Qendrore e Kosovës nënshkruan Memorandum për bashkëpunim dhe shkëmbim të informacioneve. Me të, informuan sot BP, janë përfshirë disa fusha për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si stabiliteti financiar dhe masat makroprudenciale, mbikëqyrja dhe implementim të standardeve ndërkombëtare, sisteme të pagesave, mbrojtja e konsumatorëve dhe shkëmbim të të dhënave statistikore.

Memorandumin e kanë nënshkruar guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, gjatë vizitës së punës së delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në të cilën mori pjesë edhe zëvendësguvernatori i Bankës Popullore, Fadil Bajrami.

Guvernatorja Angellovska-Bezhoska dhe guvernatori Ismaili në nënshkrimin thanë se memorandumi është rezultat i marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy bankave qendrore dhe se është bazë për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e suksesshëm të projekteve dhe iniciativave që do të dalin në periudhën e ardhshme.

 Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga guvernatorja, ka  zhvilluar disa takime me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, zëvendësguvernatorët dhe përfaqësues të lartë të bankës.

 "Në kuadër të këtyre takimeve u diskutuan për synimet dhe sfidat strategjike në bankingun qendror modern, stabiliteti financiar dhe masat makroprudenciale, ndërsa përfaqësuesit e Bankës Popullore i prezantuan masat makroprudenciale që janë ndërmarrë, veçanërisht masat e marra në vitet e fundit,  si dhe përvojën tonë gjatë përgatitjes për aplikacionin SEPA, i cili është dorëzuar në fillim të korrikut të këtij viti", qëndron në njoftim.

 Gjatë takimeve në Prishtinë, drejtoritë e dy bankave qendrore prezantuan praktikat mbikëqyrëse të sistemeve të pagesave dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave nën kompetencën e tyre, si dhe projektet dhe aktivitetet që synojnë modernizimin e infrastrukturës së pagesave në të dyja vendet.

 Foto: Banka Popullore

 

QËNDRONI TË LIDHUR