• e enjte, 26 dhjetor 2024

Nënshkruhet marrëveshje për grant investimi prej 1,5 milionë euro për EF Osllomej 1 midis SHA EMV dhe BERZH

Nënshkruhet marrëveshje për grant investimi prej 1,5 milionë euro për EF Osllomej 1 midis SHA EMV dhe BERZH

Shkup, 30 qershor 2023 (MIA) - SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut sot  firmosën marrëveshje për grant investimi për projektin "Elektranat fotovoltaike Oslomej 1" me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të siguruar përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.

"Granti investues në vlerë prej mbi 1,5 milionë euro, është parashikuar të shfrytëzohet për financimin e normave të grantit, sipas Marrëveshjes për furnizim dhe instalim të Elektranës fotovoltaike Osllomej 10 MW, të lidhur midis SHA EMV - Shkup dhe kompanisë turke me renome "Girishim elektrik" të nënshkruar në nëntor të vitit 2019", tha në fjalimin e sotëm drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Stefanov.

Qëllimi i grantit të investimit, shtoi Stefanov është të sigurojë mbështetje në financimin e shpenzimeve për elektranat fotovoltaike, të cilat përfshijnë furnizim të pajisjes, punëve ndërtimore dhe punëve lidhur me instalimin e pajisjes.

Gjithashtu, Stefanov theksoi se mbështetja dhe bashkëpunimi me institucionet si BERZH-i është i një rëndësie vendimtare dhe do të kontribuojë në një kalim më të shpejtë dhe më të lehtë në Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, me përkushtimin për kalimin në energji të pastër, e cila synon të zvogëlojnë emetimet e gazrave serrë me 61 për qind.

Ambasadori evropian Dejvid Gir, tha se Maqedonia e Veriut është vendi i diellit dhe për këtë arsye, ndërtimi i projektit fotovoltaik diellor prej 10 MW në vendin e ish minierës së qymyrit në Osllomej është një hap i natyrshëm dhe logjik për kalimin energjetik të vendit nga karburantet fosile për burimet e rinovueshme.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes ndërmjet EMV-së dhe BERZH-it, për grantin investues prej 1.5 milionë euro për instalimin e termocentralit fotovoltaik në TEC Osllomej, është në drejtim të zbatimit të axhendës së gjelbër dhe tranzicionit energjetik.

"Projekti është vendosur me sukses dhe këtë e ka pranuar edhe BE-ja, e cila i jep këto fonde granti, të cilat janë fonde nga taksat e qytetarëve të BE-së dhe me të cilat ulet kredia e dhënë për realizimin e projektit nga BERZH.  Projekti, vlera e të cilit është 5.9 milionë euro, nënkupton gjenerimin e energjisë duke transformuar teknologjitë ekzistuese të qymyrit në burime të rinovueshme të energjisë. Përdorimi i energjisë diellore natyrore për të prodhuar energji elektrike, duke krijuar rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe arritjen e një cilësie më të mirë jetese për ne dhe brezat e ardhshëm. Është pjesë e identitetit tonë evropian, që nuk do të thotë thjesht miratim ligjesh, por ndryshime reale në kushtet e jetesës. Ky është një akt që shënon solidaritetin e BE-së, vlerat që i ndajmë me vendet e BE-së dhe qytetarët e BE-së dhe ku është vendi ynë", theksoi ministri Besimi.

Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Andi Aranitasi, theksoi se ata janë të interesuar  të vazhdojnë të punojnë me Maqedoninë e Veriut në uljen e varësisë së saj nga infrastruktura e vjetëruar e qymyrit.

"Pas përfundimit të suksesshëm të elektranës fotovoltaike Osllomej 1, ne jemi të ngazëllyer që shohim se Qeveria vazhdon të investojë në energjinë diellore dhe mbetet e gatshme për të ofruar mbështetje shtesë nëse është e nevojshme", tha Aranitasi.

Elektrana Fotovoltaike "Osllomej 1" me fuqi prej 10MW, në prill të vitit të kaluar filloi t'i prodhojë sasitë e para të pastërta dhe energjinë e gjelbër elektrike nga dielli.

Elektrana fotovoltaike e ndërtuar në afërsi të REK "Osllomej" është shembulli i parë i një tranzicioni energjetik në Evropën Juglindore ku energjia elektrike do të prodhohet nga dielli përmes paneleve të vendosura në hapësirën në majë të minierës së vjetër dhe të shteruar të qymyrit. Është i pari në serinë e elektranave që duhet të zëvendësojë plotësisht kapacitetin e instaluar të REK “Osllomej”.

Elektrana Fotovoltaike "Osllomej" është parashikuar të ketë prodhimtari vjetore prej 15 deri në 17 gigavat orë elergji elektrike, të emetojë 13.000 tonë emisione të CO2 në vit dhe t'i sigurojë nevojat e energjisë elektrike për rreth 2.800 amvisëri, por njëkohësisht bëhet edhe bonifikimi dhe përmirësimi i 10 hektarëve tokë të papunuar. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR