• e diel, 24 nëntor 2024

Në UT u promovuan dy veprat e gjeneralit Prof. Dr. Kudusi Lama

Në UT u promovuan dy veprat e gjeneralit Prof. Dr. Kudusi Lama
Shkup, 16 maj 2022 (MIA)- Veprat  “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare” dhe “Nëna ime Mihana Lama”, të autorit Prof. Dr. Kudusi Lama, sot u promovuan para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës. Për veprat e gjeneralit Kudusi Lama shfaqën interesim të madh jo vetëm studentët dhe profesorët, por edhe shumë dashamirë të librit dhe personalitete të shumta nga lëmi dhe sfera të ndryshme. Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij, duke iu referuar kësaj ngjarje tha, se botimi i këtyre veprave sjell një kontribut të çmuar, me interes për opinionin kulturor, studentët, kritikët e artit dhe studiuesit shkencorë. “Vepra e profesor Lames për akademik Qosjen, shtjellon në tërësi krijimtarinë unike dhe veprimtarinë intensive në shërbim të kombit tonë dhe këtë e argumenton në kapitullin: Qosja na jep modelin si duhet punuar për çështjen kombëtare. Në këtë kapitull, ai shton se, ajo që e bën madhështor Qosjen është fakti se ai nuk është i dashuruar thjesht vetëm e vetëm pas kombit të vet e bashkëkombësve të tij. Ai i do të gjitha kombet me atë dashuri që e do kombin e tij dhe në këtë mënyrë afirmon idenë që i shërben afrimit të kombeve me njërin–tjetrin, sepse vizioni i tij shikon larg e thellë dhe ai nuk ndalet në kufijtë e Kosovës, apo të Shqipërisë”. Vepra tjetër, po aq e rëndësishme, që e promovojmë sot, “Nëna ime Mihane Lama”, nga ekipi botues është vlerësuar si një rrëfim me një ndikim të veçantë pedagogjik, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëdimensional. Kjo vepër monumentale për nënën dhe shenjtërinë e saj, për lexuesin pasqyron në detaje mjedisin dhe zakonet e tij, natyrën, mendimet, gjuhën dhe etikën e saj, por mbi të gjitha se ajo punoi pa u lodhur deri në çastet e fundit të jetës për të mbajtur dhe drejtuar një familje që të kishte dinjitet e vlerë, për të rritur breza të aftë, që të mos i nënshtroheshin së keqes e të kishin fuqi e aftësi për ta çuar jetën e familjes, përparimin  e zhvillimin dhe për t’u bërë shembull edhe për të tjerët, dhe si shqiptare e vërtetë dhe e devotshme bëri  të gjitha përpjekjet për të qenë një luftëtare e paepur për përparimin kombëtar”, tha mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti. Vepra kushtuar Akademik Rexhep Qosjes, nga recensentët është cilësuar si një vepër me dimensione globale, monumentale e me thellësi filozofike, duke zbërthyer ideologjinë kombëtare. Për profesorin universitar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, ushtaraku i karrierës – gjenerali Kudusu Lama, në librin “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, rëndësi të veçantë i ka kushtuar personalitetit të tij në historinë kombëtare. Ai tha se në këtë vepër Akademik Qosja ka zënë vendin e patjetërsueshëm në historinë e kombit shqiptar, si filozof, ideolog  e politikan i çështjes kombëtare dhe jo vetëm. Veç kësaj, ai ka zënë vend nderi edhe në historinë e letërsisë shqipe si studiues dhe si shkrimtar, andaj autori e ka analizuar veprimtarinë e tij nga një këndvështrim i ri. Kurse Prof. Dr. Shyqri Galica vlerësoi se autori Kudusi Lama, në këtë libër ka depërtuar në thellësinë e mendimit që e artikulon Akademik Qosja në veprat e tij, duke zbërthyer një nga një idetë, pikëpamjet, strategjinë kërkimore politike e filozofike, që me gjerësinë e saj depërton në thellësinë historike ku mbështetet duke krijuar formën e tyre. Duke veçuar si një nivel të një gjeniu epror, që mbi të gjitha ka idealet filozofike, ideologjike e politike kombëtare dhe shoqërore, ai ka arritur të artikulojë identitetin kombëtar si vlerë të veçantë vetjake, kombëtare, por edhe shoqërore. Në vlerësimin që Prof. Dr. Hysen Matoshi ia bëri veprës së Kudusi Lamës, të cilën ia dedikon akademik Rexhep Qosjes, tha se autori ka shkruar me një gjuhë të qartë, ka bërë analiza përimtuese të materies studimore e ka nxjerrë përfundime të qëndrueshme mbi veprimtarinë dhe personalitetin e tij, mbi dimensionin e angazhimit të tij në sferën e mendimit e të veprimit në kohë të vështira për fatet e kombit. Kjo vepër merr për bazë dimensionin më ndikues të angazhimeve intelektuale të tij – ndihmesën e madhe programatike që i ka dhënë zgjidhjes së çështjes kombëtare. Kurse recensenti, Prof. Dr. Fadil Grajçevci, duke folur për veprën në fjalë tha se autori Kudusi Lama me të drejtë thotë se ndikimi i veprës letrare e shkencore të Rexhep Qosjes është sa i madh, aq edhe i veçantë në jetën letrare, kulturore e shkencore, por edhe në rrjedha të tjera të jetës politike e shoqërore shqiptare në përgjithësi. Ai është kritik letrar, teoricien e historian i letërsisë nga më frytdhënësit; tregimtar, romancier e dramaturg, i cili, edhe pse jo shpesh, si me vepra studimore, sa herë shfaqet në letërsinë tonë sjell përvoja të reja krijuese si eseist, publicist e polemist jokonformist, i cili guximshëm, në çdo kohë është zë i ndërgjegjes kombëtare. Akademiku Rexhep Qosja, duke iu referuar veprës që gjenerali Kudusi Lame ia ka kushtuar atij  tha se është një vepër e shkruar me cilësi të madhe dhe me vëllim të madh. “Sot ndjehem mire dhe ndjej gëzim për këtë vepër, pasi e ka shkruar një autor jo i zakonshëm, jo i përditshëm, e ka shkruar një gjeneral, dhe jo një gjeneral i zakonshëm por një gjeneral i dy kohëve, është gjeneral i kohës së paqes dhe i kohës së luftës. Gjeneral që ka bërë dy vepra për luftën e Kosovës. Këtë libër gjenerali e ka shkruar gjatë tetë viteve. Të shkruash një libër tetë vjet është punë e madhe që duhet çmuar shumë. Shkrimi i kësaj vepre më ka sjellë kënaqësi . Po ta lexojmë veprën e tij e shohim se ky gjeneral intelektual dhe krijues e njeh krejt historinë e popullit shqiptarë dhe të popujve të Evropës dhe gjetiu. Të shpresojmë që ai do të vazhdojë të na gëzojë me vepra të reja, të cilat do të luajnë një rol, rol në jetën tonë kombëtare, shoqërore, morale, siç e ka luajtur me këtë vepër, të luaj rolin e veprave që krijojnë të ashtuquajturin kohezion shoqëror, etik e kombëtarë”, u shpreh me këtë rast Akademik Rexhep Qosja. Më pas, ai në pika të shkurtra dha vlerësimet e tij edhe për librin “Nëna ime Mihane Lama”. Ai tha se ky botim njëkohësisht është vepër letrare dhe biografike. “Në të janë dhënë shumë të dhëna konkrete që e shquajnë rëndësinë e saj pedagogjike. Por, në të njëkohësisht me gjuhën letrare, kur më pak e kur më shumë, është idealizuar nëna Mihane. Me ato të dhëna konkrete, të paraqitura me gjuhën bindëse dhe me atë idealizim të sendërtuar me gjuhën letrare, nëna Mihane është bërë një shembull i bijës, i motrës, i bashkëshortes, i nënës me edukatë, me virtyte, me etikë të lartë, shembull i bijës, i motrës, i bashkëshortes, i nënës, që karakterizojnë veprat pedagogjike dhe psikologjike të pedagogëve dhe të psikologëve klasikë. Vepra “Nëna ime Mihane Lama” është vepër me ndikim të veçantë pedagogjik. Kjo vepër duhet të lexohet dhe rilexohet”, u shpreh tutje Akademik Rexhep Qosja. Autori i librit, gjenerali i luftës Prof. Dr. Kudusi Lama, në fjalën e tij, duke folur për librin që ia ka kushtuar Akademik Rexhep Qosjes, u shpreh se filozofia e Qosjes ka dhënë prova të pakontestueshme të saktësisë së mendimit parashikues dhe të ideve vizionare. Rexhep Qosja është komandant që qëndron pranë frontit që është i drejtpërdrejt në front, që i shikon luftëtarët e tij në sy, që e shikon armikun përballë, që e tërheq këmbëzën e pushkës së tij drejt atje ku duhet, duke e parë edhe sa ka goditur në shenjë ose jo. Do të kujtoj një ngjarje të disa viteve më herët, më saktësisht ka qenë viti 1993, kur kemi hyrë në Qafëthanë, na kanë mbajtur peng 6 orë. Ndërsa një ditë kur po dilnim nga Maqedonia, para dy vjetësh, kontrollorët e kufirit dolën nga kabina edhe thanë, ju lusim të zbresësh nga makina se duam ta bëjmë një fotografi me ty. Besoj se po të marrësh këto dy pamje tregohet rruga kolosale nëpër të cilën na sollët me ushtarët tuaj dhe me luftën tuaj komandantë, miku im Ali Ahmeti. Prandaj, unë jam shumë, shumë i përkëdhelur që sot flas para jush. Ndërsa, për sa i përket veprës “Nëna ime Mihane Lama”, këtë punë e kam bërë gjithë përkushtim, por nuk kam arritur ta bind plotësisht veten se i kam dhënë përmasat e plota të asaj jete në rrafshin historik, moral, psikologjik, ekonomik, edukativ, njerëzor, human etj. Por, pavarësisht se kam arritur t’i jap përmasat e plota kësaj jete, kam bindjen se kam arritur të hedh dritë mbi atë jetë, që ajo të shërbejë për t’u njohur e shfrytëzuar nga të tjerët për të kryer vepra të mira në jetë. Uroj që lexuesit të mos zhgënjehen me punën time. Uroj që ta kem sjellë tek ata sa më të plotë jetën e nënës Mihane. Ajo donte të ishte me njerëzit, për t’u shërbyer atyre, dhe unë po e nis nëpër udhët e jetës me njerëzit”, theksoi autori Prof. Dr. Kudusi Lama. Në veprën “Nëna ime Mihane Lama” të autorit Prof. Dr. Kudusi Lama, protagonistja është një nënë e veçantë, e jashtëzakonshme me jetën dhe në përgjithësi fatin e saj. Arsyeja e madhe që e kanë mbushur mendjen dhe zemrën e Prof. Dr. Kudusi Lamës për t’ia kushtuar asaj këtë vepër, janë sakrificat e saj të jashtëzakonshme për pasardhësit e saj, pasi që është ballafaquar me shumë sfida, duke qenë një grua e ve, ajo me shumë mund ka rritur dy djemtë e saj duke i edukuar e shkolluar deri sa i ka bërë me shumë pasardhës. Në përmbyllje të këtij promovimi, Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti panelistëve u ndau nga një dhuratë me portretin e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Monografinë e Universitetit dhe një komplet revistash shkencore.

QËNDRONI TË LIDHUR