• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Në UT u promovua libri “Rafi Halili - luftëtar i paepur në mbrojtje të atdheut” nga autori Salajdin Fejzullahi

Në UT u promovua libri “Rafi Halili - luftëtar i paepur në mbrojtje të atdheut” nga autori Salajdin Fejzullahi

Tetovë, 10 tetor 2023 (MIA) - Në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri “Rafi Halili – luftëtar i paepur në mbrojtje të atdheut” nga autori Salajdin Fejzullahi. Nëpërmjet këtij libri rrëfehet jeta e kryeprotagonistit Rafi Halili dhe e familjes së tij, ku autori shfaq qëndresën e tyre heroike të parë nga këndvështrimi i një familjari si ç’është vet autori Salajdin Fejzullahi. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin bashkudhëtarët e tij të idealit nga trojet tona dhe nga Kosova, personalitete nga sfera politike, të burgosur politikë,shkrimtarë, publicistë, familjarë dhe studentë.

Kryetari i Senatit i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti theksoi se organizimi i këtij përurimi libri në Universitetin e Tetovës, përtej një veprimtarie promovuese, është edhe një përkujtim ndaj personaliteteve më të shquara të nivelit të Rafi Halilit dhe simboleve tjera të rezistencës kombëtare dhe sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, të vizionarëve e qytetarëve fisnikë që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij e vendosën në shërbim të idealeve të mëdha për liri dhe avancim të proceseve.

"Për librin 'Rafi Halili- luftëtar i paepur në mbrojtje të Atdheut', që e ka autor Salajdin Fejzullahin, më gjerësisht do ta na flasin recensentët dhe vetë autori, por me lejoni të veçoj se ai personifikon intelektualin dhe simbolin e qëndresës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të ish-sistemit ndaj kombit shqiptar. Ai ishte një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Roli dhe rëndësia e tij është përjetësuar në historinë më të re të popullit shqiptar. Vepra dhe autoriteti monumental i Tij kanë në themele dashurinë për atdheun dhe bashkimin kombëtar, gatishmërinë për t’u flijuar dhe përpjekjet titanike për liri. Për të gjitha këto dhe shumë vlera të tjera, Rafi Halili gëzon respekt të përhershëm nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë, duke e radhitur atë në mesin e personaliteteve të shquara të kombit, gjurmët e së cilit do të mbesin në histori. Personaliteti, sakrifica dhe veprat e tij meritojnë respektin më të lartë. Ne si Universitet, jemi përpjekur që sado pak ta shlyejmë detyrën tonë, duke e studiuar veprimtarinë e tij patriotike, qëndresën stoike përballë politikës hegjemoniste sllave dhe rolin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe demokracinë që sot të gjithë i gëzojmë. Ne sot përulemi me nderim para veprës së Rafi Halilit dhe para vuajtjeve të të burgosurve shqiptarë, ndaj të gjithëve u shprehim nga zemra mirënjohjen e përjetshme dhe falënderimin e thellë për vendosmërinë dhe misionin titanik në shërbim të avancimit të kauzës sonë kombëtare”, tha  Ameti.

Recensenti i librit, Ekrem Ajruli theksoi se libri biografik i familjes së nderuar Halili, me figurë qendrore tribunin Rafi Halili, është një vepër e shkruar nga familjari për familjarin.

“Autori nga afër dëshmon për jetën e kryeprotagonistit, e njeh atë në një mënyrë ndryshe nga ne, ai nuk shkruan vetëm për Rafi Halilin – tmerrin e dushmanëve barbarë dhe simbolin e krenarisë, qëndresës dhe pathyeshmërisë sonë kombëtare, por shkruan për djalin e axhës së tij, shkruan për familjen e tyre. Ai zhytet thellë në lidhjet dhe raportet familjare, prapaskenën e ngjarjeve që përjeton kjo familje, çmimin që paguan për ideologjinë, trimërinë dhe mosdevijimin nga vija kombëtare. Fjalët e shkruara në libër, janë dëshmi e pakontestueshme e një epoke shtazarake, të një sistemi hienash, si dhe janë gurë-themel i identitetit tonë kombëtar. Jetoj më shpresë se ky dhe jetëshkrimet si ky, një ditë do të zënë vendin e tyre të merituar në institucione arkivore, botuese dhe ato filmike”, u shpreh recensenti i librit Ajruli.

Vetë autori i librit, Salajdin Fejzullahi i falënderoi të gjithë që kontribuuan për botimin e këtij libri dhe u ndal te kopertina e librit.

“Kopertina e librit është një fotografi e bërë nga duart e mija dhe lala siç i thoshim ne Rafiut, për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kopertina përmban shumë shkëndijë, këto janë shkëndijë të cilat lala Rafi i la të gjalla dhe nuk shuhen. Këto do të mbeten deri në amanetin e tij dhe dëshmorëve të luftës, të cilët për çështjen kombëtare lanë shenja të pandara. Këtu në këtë mes do ta fus edhe dajën Fazli Veliu, që pata mundësinë të jem bashkëveprimtar dhe udhërrëfyes i hapave të tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës”, tha Fejzullahi.

Në emër të familjes së Rafiut foli motra e tij, Hyreme Halili – Shabani. Ajo shpalosi kalvarin e vuajtjeve që i ka përjetuar Rafi Halili dhe familja e tij, peripecitë e ndryshme, torturat barbare nga regjimi, të cilat do të ngelen të pashlyeshme në memorien e çdo pjesëtari të familjes. Për protagonistin e librit, simbolin e qëndresës dhe rezistencës, Rafi Halilin evokuan kujtime edhe bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, Agim Sulejmani, Bejtulla Ademi dhe Bedri Llapashtica.

QËNDRONI TË LIDHUR