• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në UT u promovua libri “N’kohë për veten: një udhërrëfyes për të gjetur paqen”

Në UT u promovua libri “N’kohë për veten: një udhërrëfyes për të gjetur paqen”

Shkup, 26 mars 2024 (MIA) - Në hapësirat e Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri “N’kohë për veten: një udhërrëfyes për të gjetur paqen” nga autori Prof. As. Dr. Fitim Uka. Ky libër sjell psikoterapinë e kohezionit të brendshëm në një version të aplikueshëm të vetëndihmës, që u dedikohet të gjithë lexuesve: atyre që duan të njohin më mirë veten dhe atyre që duan ta mbrojnë, fuqizojnë dhe përmirësojnë shëndetin e tyre mendor. Ky libër veç tjerash, ju bën të mendoni ndryshe, ju bën të reflektoni dhe ta shtoni empatinë.

Të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi. Ai u shpreh se libri pa dyshim që është një kontribut serioz në mbrojtjen e shëndetit mental dhe është një udhëzues i frymëzuar dhe praktik për të gjithë ne që kërkojmë mënyra për të përmirësuar kualitetin e jetës, duke tejkaluar krizat që mund të paraqiten deri te arritja e rrugës së sukesit. “Si Fakultet Pedagogjik dhe Universitet i Tetovës, jemi të nderuar që promovojmë një libër që nxit përparimin personal dhe përkushtimin për zhvillimin e vetes. Ruajtja e shëndetit mendor duhet të jetë një prioritet për të gjithë ne. Ai ka një ndikim të rëndësishëm në mirëqenien, produktivitetin dhe marrëdhëniet tona me të tjerët, lartëson nivelin e kreativitetit dhe aftësisë sonë për të menduar dhe vepruar në mënyra të reja dhe inovative, kjo për arsye se kur jemi të lirë nga stresi dhe tensioni, kemi më shumë hapësira për të eksporuar idetë dhe për të arritur potencialin tonë të plotë. Me anë të kësaj vepre dhe pune të shkëlqyer që ka bërë përmes saj, autori na inkurajon të reflektojmë mbi veten tonë, të gjejmë motivimin dhe qëllimet tona dhe të shfaqim potencialin tonë maksimal në rrugën drejt një jete më të lumtur dhe të suksesshme. Andaj ne si institucion mbështesim fuqimisht frymëzimin dhe kreativitetin në kërkimin e dijes dhe rritjen personale. Në këtë drejtim lirisht mund të themi se libri “N’kohë për veten” përputhet plotësisht me vlerat dhe qëllimet tona", tha mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Në vijim, pedagogia nga Tirana, Msc. Tana Aliaj bëri një elaborim më të hollësishëm të librit. Sipas saj, libri “N’kohë për veten” është një manifest për veten dhe jetën e jetuar, por edhe veten dhe jetët e dëshiruara. “Prezantimi i principeve psikologjike te libri na bën të vetëdijesohemi e të dalim nga vorbulla “po sikur?!” na fuqizon për të rishkruar historinë tonë, e na e lehtëson kthimin pas në të kaluarën për të bërë paqe me të. Të paktën një herë në jetë, të gjithëve në mendjen tonë na kanë shkuar ndër mend pyetje si: A do të guxonim me të vërtetë t’i jepnim një kuptim të ri

ekzistencës sonë? Po për t’u bërë çfarë? Për të shkuar ku? Dhe me kë? Teksa do lexoni librin do ta kuptoni që po, ju mund t’i jepni një kuptim të ri ekzistencës tuaj, por pa hequr dorë nga vetja, por për t’u bërë akoma më shumë vetja, për t’u lidhur me veten tuaj autentike që i ka rrënjët në nevojën për pranim dhe dashuri pa kushte.” - theksoi pedagogia nga Tirana, Msc. Tana Aliaj.

Autori i librit Prof. As. Dr. Fitim Uka fillimisht na shfaqi një video-incizim, ku përfshihej jeta e njeriut nga lindja deri te vdekja e më pas bëri një prezantim me temën: “Psikoterapia e kohezionit të brendshëm” ku ishin të përfshira të gjitha peripecitë që lidhen me temën përkatëse. Sipas tij, ky libër mëton ta ndihmojë lexuesin e thjeshtë, atë që është laik në psikologji apo di pak prej saj, atë që e përballon vetë një vështirësi emocionale apo që përpiqet ta ndihmojë tjetrin që po e ndien fundin. “Është një libër që ndihmon për të kuptuar si mund t’u dalim përballë sfidave që e kërcënojnë mendjen, por edhe si mund të krijojmë mekanizma adaptivë të mbrojtjes kundrejt rreziqeve e kërcënimeve permanente të shëndetit mendor. Librin që e keni në duar e sjell psikoterapinë e kohezionit të brendshëm në një version të aplikueshëm të vetëndihmës që, në mos asgjë tjetër, ju bën të mendoni ndryshe, ju bën të reflektoni apo edhe ta rritni empatinë. Megjithëse, libri ndonjëherë nuk mjafton, mund të jetë pikënisja e duhur. Libri mund të jetë rruga drejt mirëqenies dhe paqes – kohezioni të brendshëm.” - theksoi autori i librit Prof. As. Dr. Fitim Uka.

Ky libër mes tjerash, promovon empatinë për të na bërë më të lehtë ta kuptojmë rrugën e përshkruar nga vetja dhe të tjerët, sepse na përball me sfida për t’u kapërcyer e triumfe për t’u gëzuar, si dy aspekte shumë të rëndësishme të kompleksitetit njerëzor. Libri na kërkon të zhytemi në narrativë, të sfidojmë veten e të mendojmë në mënyrë kritike, e të eksplorojmë ide përtej kufijve të zonave të komfortit. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR