• e enjte, 26 dhjetor 2024

Diplomoi gjenerata e gjashtë e absolventëve të UNT-së

Diplomoi gjenerata e gjashtë e absolventëve të UNT-së

Shkup, 20 qershor 2024 (MIA) - Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup në mënyrë solemne sot organizoi Absolventiadën 2024 ku përcolli gjeneratën e gjashtë të absolventëve, duke kurorëzuar kështu punën e palodhshme katërvjeçare të tyre.

Me këtë rast, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri në paraqitjen para të pranishmëve tha se kjo ceremoni, që po zhvillojmë sot, është dëshmia më e mirë se ne jemi të suksesshëm, jemi në rrugë të drejtë, po rritemi ngadalë por sigurt dhe po zhvillohemi në të gjitha drejtimet.

“Asgjë nuk është ndërtuar për një ditë, ndërsa universitetet janë institucionet më të komplikuara për të ngritur, sepse kërkojnë staf të kualifikuar, kushte studimi optimale, sakrificë dhe përkushtim permanent, dhe ne këtë po mundohemi ta bëjmë më së miri. Sot, siç e dini, jemi në shtëpinë tonë, me ndërtesa të renovuara, nga institucionet dhe nga miqtë tanë donatorë, dhe këto hapësira mbulojnë pjesërisht nevojat tona për mbarëvajtje të mësimit. Por, vitet kalojnë dhe numri i studentëve vazhdimisht rritet, nga afro 5000 studentë të regjistruar, dhe me 800 deri 1000 që presim të regjistrohen për vitin e ardhshëm akademik, do të na nevojitet hapësira të reja, dhe kjo situatë do të jetë sfiduese për ne”, tha rektori Zeqiri para absolventëve dhe të pranishmëve.

Gjithashtu rektori Zeqiri uroi absolventët duke thënë se ‘kudo që vendosin të ndërtojnë karrierën e tyre, të jenë në ballë të proceseve, të jenë menaxherë të kompanive, të paktën aty të aspirojnë, sepse këtë ua keni borxh prindërve tuaj dhe gjeneratave që punuan për ardhmërinë tuaj më të mirë, gjeneratave të cilat nuk patën fatin të studiojnë në asnjë gjuhë, por dhanë nga vetja gjithçka që patën që ne të kemi fatin më të mirë. Ne, ua kemi borxh, që dhimbjen e tyre ta shndërrojmë në lavdi dhe krenari.
Para absolventëve dhe të pranishmëve u drejtua edhe Kryetari i Senatit të UNT-së, Prof. Dr. Zoran Gacovski i cili tha se: ‘do të dëshiroja që ju të vazhdoni karrierën tuaj në vendin tonë, të kontribuoni në përparimin dhe suksesin e ekonomisë sonë. Besoj se çdo kompani do të donte t'ju punësonte në radhët e saj. E ardhmja u përket atyre që punojnë shumë dhe investojnë në arsimimin e tyre. Rruga drejt suksesit nuk përfundon kurrë - ne gjithmonë duhet të përmirësohemi dhe të fitojmë përvojë.

Ceremoninë e këtij viti e moderoi Doc. Dr. Arta Xhelili, Prodekane për Arsim në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Në absolventiadën e këtij viti u shpallën pesë studentët më të mirë nga fakultetet përkatëse, dhe atë nga Fakulteti i Shkencave Informatike, Teurat Murtezai me notë mesatare 8.7, Fakultetit i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë, Aurora Marku me notë mesatare 8.8, Fakulteti i Shkencave Teknologjike, Zilejhan Mamuti me notë mesatare 9.62, nga Fakulteti i Shkencave Teknike, Viktorija Mlladenovska me notë mesatare 9.74 si dhe nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Anesa Ismailoska me notë mesatare 9.9.

QËNDRONI TË LIDHUR