• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita Botërore e Shëndetësisë

Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita Botërore e Shëndetësisë

Shkup, 8 prill 

Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore i Universitetit të Tetovës sot organizoi panel diskutimi me moton “Shëndeti im, e drejta ime”.

Kjo ditë ka rëndësi të veçantë sepse rrit ndërgjegjësimin për çështje globale të shëndetit dhe shërben si një platformë për të mbrojtur politikat dhe praktikat që promovojnë shëndetin dhe mirëqenien për të gjithë, në nivel global.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se ky organizim përkon me 30 vjetorin e themelimit të institucionit tonë. “Shpresojmë që ky panel do të promovojë vlera, por njëkohësisht do të tregojë edhe faktin se ne, si institucion publik i shkollimit të lartë, si Universitet i Tetovës, krahas faktit që kemi procesin e ligjëratave, ushtrimeve, aspektin shkencor të hulumtimeve, kërkimeve, veprimtarisë botuese, njëkohësisht Universiteti i Tetovës gjithmonë ka marrë dhe merr përgjegjësi edhe në të ardhmen që të japë kontributin edhe për zhvillimet shoqërore në vend dhe, në këtë rast duke kontribuar edhe në mënyrë shtesë për shëndetin e qytetarëve tanë.” –u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Ilir Demiri në fjalën e tij i identifikoi në hollësi problemet që hasen në Spitalin Klinik të Tetovës dhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shpalosi zgjidhjen e këtyre pengesave që sistemi shëndetësor të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke theksuar se të gjithë së bashku, me punë dhe përpikmëri mund të përparojmë shumë si shoqëri.

Prodekania për Shkencë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe njëkohësisht organizatorja e këtij aktiviteti, Prof. Dr. Arbresha Bexheti- Ferati theksoi se ky panel diskutimi me karakter shkencor ka rëndësi edhe më të madhe për faktin se i njëjti realizohet nën logon e aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës.

“Në këtë përvjetor të Ditës Botërore të Shëndetësisë dhe në këtë vit jubilar, po të flasim me terminologjinë mjekësore, lirisht mund të themi se UT-ja është një institucion i shëndetshëm, modern dhe dinamik, me udhëheqje të përkushtuar për ta zhvilluar përsosmërinë akademike dhe për ta përmbushur vizionin për një universitet dinjitoz. Fakulteti i Mjekësisë, për të disatën herë me radhë e shënon Ditën Botërore të Shëndetësisë, duke u kujdesur që për çdo vit të sjellë moto, tema të larmishme dhe aktuale për sfidat globale me të cilat përballej dhe po përballet njerëzimi. Fakti që ngjarje të tilla, me problematika specifike diskutohen në auditorët tanë, dëshmon se ne si fakultet i posedojmë kapacitetet profesionale për t’u përfshirë dhe për t’i shpalosur idetë, mendimet e pse jo të ofrojmë edhe ekspertizën shkencore”, tha ndër të tjera Bexheti- Ferati.

Në vijim të këtij aktiviteti, panelistët i prezantuan punimet e tyre të bazuara në temën: “Rëndësia e shëndetit si një e drejtë themelore njerëzore”. Fillimisht dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Nevzat Elezi elaboroi temën: “Qasja deri te shërbimet shëndetësore”, pastaj Prof. Dr. Lindihana Emini prezantoi temën: “Të drejtat e shëndetit oral: bazat, rëndësia dhe këndvështrimet”, Doc. Dr. Drita Havziu shpalosi temën:

“Ekspozimi ndaj substancave kancerogene dhe preventive”, Doc. Dr. Sheruze Ormani-Ballazhi u ndal në temën: “Shëndeti mendor: sfidë e kohës bashkëkohore” dhe Mr. Valbona Kadriu foli për temën: “Piramida ushqimore reale e të rinjve dhe pasojat”.

Zyra për informim pranë Universitetit të Tetovës

____________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR