• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Universitetin e Tetovës janë ndarë specializimet për fusha deficitare mjekësore

Në Universitetin e Tetovës janë ndarë specializimet për fusha deficitare mjekësore

Teztovë. 13 dhjetor 2023 (MIA) - Në Universitetin e Tetovës sot u mbajt ceremoni solemne me rastin e ndarjes së specializimeve të punonjësve shëndetësorë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Në ceremoni, siç informojnë nga Ministria e Shëndetësisë, është potencuar se specializimet e ndara janë për disa fusha deficitare në sistemin shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në fjalimin e tij theksoi se mjekë të rinj, të cilët do ta vazhdojnë zhvillimin e tyre profesional dhe ngritjen profesionale në këtë institucion të arsimit të lartë, në të ardhmen do t'i forcojnë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor. 

"Veçanërisht më gëzon fakti që kjo është gjenerata e parë e specializantëve në Fakultetin e Mjekësisë në Tetovë. Të gjithë këta mjekë të rinj, të cilët do të vazhdojnë zhvillimin e tyre profesional dhe ngritjen profesionale në këtë institucion të arsimit të lartë, do të forcojnë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në të ardhmen. Përmirësimi i vazhdueshëm profesional është thelbësor për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pikërisht për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë i është përkushtuar veçanërisht kësaj fushe", theksoi Mexhiti. 

 Me Programin për specializime dhe subspecializime, të cilin Ministria e miraton në nivel vjetor, për këtë vit vetëm për Universitetin e Tetovës janë ndarë gjithsej 25 specializime për institucionet publike shëndetësore, si dhe 34 për institucione shëndetësore private. 

"Bëhet fjalë për fusha të shumta mjekësore, dhe më gëzon veçanërisht që në mesin e tyre ka fusha të mangëta si pediatria, gjinekologjia dhe obstetrika, kardiologjia, si dhe specializimet në fushën e kirurgjisë së përgjithshme, mjekësisë interne e të tjera. Gjithashtu sot do të jepen 40 indekse për ciklin e dytë të specializimeve në veprimtari të tjera mjekësore. Është një nder i madh që në kohën time si ministër, për herë të parë në histori, u hapën specializime në këtë fakultet. Do të vazhdoj të investoj në kuadro të reja, me qëllim për t'ju mbajtur këtu, pranë vendlindjes tuaj. Unë jam këtu pas jush, duke ju inkurajuar dhe për t'ju shtyrë të ecni përpara",  deklaroi Mexhiti.

 Foto: Ministria e Shëndetësisë

 

QËNDRONI TË LIDHUR