• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Tiranë u shënua 110-vjetori i eksodit të dibranëve

Në Tiranë u shënua 110-vjetori i eksodit të dibranëve

Dibër, 12 mars 2023 (MIA) - Në organizimin e shoqatës Bashkësia Dibrane në Tiranë, mes shumë personaliteteve dhe të ftuarve nga komuna e Dibrës, dje u shënua 110-vjetori i eksodit të dibranëve të cilët gjetën strehim në Tiranë, informuan nga Komuna e Dibrës, përmes një publikimi në Fejsbuk. 

"Sot në Tiranë përkujtuam muhaxhirët Dibranë dhe eksodin e dhimbshëm të vitit 1913 që do ngelet nga plagët më të dhimbshme në historinë Dibrës. Në organizimin e shoqatës Bashkësia Dibrane, mes shumë personaliteteve dhe të ftuarve, u ndanë dhe u përfolën shumë histori dhe kujtime, që nga shkaktarët e këtij eksodi, që ishte lufta dhe terrori serb mbi popullatën civile dibrane, deri tek mikpritja e pa shoqe që gjetën dibranët në Tiranë, bashkëjetesa dhe harmonia që pasoi mes dibranëve dhe tiranasve", qëndron në publikimin në Fejsbuk.

Në shenjë mirënohjeje dhe falenderimi, kryetari i Këshillit Komunal të Dibrës, Fuat Spahiu, shprehu fjalën e tij të rastit ku njëherit "përçoi përshëndetjet dha falenderimet jo vetëm institucionale, por mbarë qytetare të të gjithë dibranëve për këtë vepër madhështore të Tiranës".

 "Në shenjë simbolike, në hyrje të Tiranës nga Rruga e Arbrit, pikërisht aty ku ndaluan për herë të parë dibranët në Tiranë, u përurua obelisku që përkujton atë eksod, në të cilin shkruan 'Në nderim të dibranëve të dëbuar që u pritën zemër hapur nga tiranasit", qëndron në publikimin e komunës së Dibrës.
 

Në Tiranë jetojnë shumë dibranë, numri i të cilëve është mbi 80 mijë. fc/

Fotografitë: Komuna e Dibrës në Fejsbuk

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR