Në Tiranë nënshkruhet Memorandumi për mirëkuptim për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës
- Në Tiranë sot u nënshkrua Memorandumi për mirëkuptim për hapjen e kampusit të kolegjit të Evropës, ku nënshkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit Orgeta Manastirliu dhe rektorja e kolegjit evropian, Federika Mogerini.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:25, 6 tetor, 2023
Tiranë, 6 tetor 2023 (MIA) - Në Tiranë sot u nënshkrua Memorandumi për mirëkuptim për hapjen e kampusit të kolegjit të Evropës, ku nënshkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit Orgeta Manastirliu dhe rektorja e kolegjit evropian, Federika Mogerini.
Në nënshkrimin zyrtar të Memorandumit ishte i pranishëm edhe Komisari evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji.
Kolegji i Evropës, një nga institucionet kryesore në zhvillimin dhe promovimin e projektit evropian, do të vendoset në një nga simbolet e transformuara të kryeqytetit në objektin e njohur Piramida i cili mori pamje të re dhe i cili është transformuar në qendër të teknologjisë dhe informacionit për Ballkanin Perëndimor.
Kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohje për atë se Tirana është zgjedhur mes shumë qyteteve evropiane për hapjen e këtij kampusi, duke shtuar se "Shqipëria me hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë vendos një tjetër perlë drejt Shqipërisë evropiane".
Ministrja Manastirliu tha se kjo marrëveshje është historike për arsimin në Shqipëri.
"Lajm historik për internacionalizimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe për përafrimin me Bashkimin Evropian. Po finalizojmë një nga ato ëndrrat që lindi kur ne donim të bëheshim si e gjithë Evropa dhe në fakt, a ka një emërues të përbashkët që na lidh dhe që na sjell në Evropë edhe më shpejt, si arsim. Kolegji i Evropës, kampusi në Tiranë është moment historik, në kontekstin e internacionalizimit të universiteteve dhe qasja drejtë Bashkimit Evropian", deklaroi Manastirliu.
Për eurokomisarin Varheji "Kolegji i Evropës u bë simbol i zgjerimit".
"Nuk ka shenjë më të mirë dhe më të qartë se Shqipëria po bëhet pjesë e Bashkimit Evropian me sjelljen e Kolegjit të Evropës në Tiranë", tha Varheji.
Mogerini beson se "ky është moment historik".
"Kolegjin e Evropës më në fund po e nxjerrim jashtë Bashkimit Evropian", deklaroi Mogerini.
Hapja e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë u iniciua para një viti nga kryeministri Edi Rama në Samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve ballkanike në Tiranë. Ky është kampusi i tretë i Kolegjit Evropian dhe i pari që do të jetë jashtë Bashkimit Evropian. qa/
Foto: Fejsbuku i Manastirliut