• e hënë, 30 dhjetor 2024

Në Stamboll nënshkruhet Marrëveshja për eksport të grurit ukrainas

Në Stamboll nënshkruhet Marrëveshja për eksport të grurit ukrainas
Stamboll, 22 korrik 2022 (MIA) - Rusia dhe Ukraina sot nënshkruan marrëveshje të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, e cila duhet të mundësojë eksportin e miliona tonëve grurë nga portet e bllokuara në Detin e Zi. Me këtë marrëveshje duhet të shmanget kërcënimi nga kriza globale katastrofale me ushqim. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Stamboll ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu dhe ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandar Kubrakov nuk ishin të ulur në tavolinë të njëjtë, Shojgu dhe Kubrakov nënshkruan dy tekste identike me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh dhe ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, me kërkesë të Ukrainës, e cila refuzoi të iniciojë çfarëdo lloj dokumenti me Rusinë. Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Para nënshkrimit të marrëveshjes sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh mbajti një fjalim të shkurtër. “Kjo marrëveshje do të mundësojë eksport të grurit nga Ukraina, ndërsa KB do të punojë në sigurimin e suksesit të saj. Sot u shfaq drita e shpresës në Detin e Zi", theksoi Guteresh. Ai shtoi se marrëveshja do t’i stabilizojë çmimet globale të ushqimit. “E falënderoj Rusinë dhe Ukrainën të cilat i tejkaluan të gjitha dallimet dhe i lanë mënjanë mospajtimet e tyre, me qëllim që të hapet rruga për iniciativën, e cila do t’iu shërbejë interesave të përbashkëta të të gjithë botës”, theksoi Guteresh, duke shtuar se “fokusi ishte në atë që është më e rëndësishme për botën”. Marrëveshja është sipas planit të Kombeve të Bashkuara që të zhbllokohet eksporti i grurit ukrainas përmes Detit të Zi dhe t'i lejohet Rusisë që të eksportojë grurë dhe plehra artificiale. Kjo do të mund ta ulte krizën globale në ushqim për çka u rritën çmimet e grurit dhe drithërave të tjera. Pikat kryesore të marrëveshjes janë: Një koalicion i personelit turk, ukrainas dhe personel i KB-së do ta mbikëqyrin ngarkimin e grurit në anijet e porteve ukrainase, të cilat pastaj do të lundrojnë në ruta të definuara paraprakisht përgjatë Detit të Zi, i cili edhe më tutje është i minuar me mina ruse dhe ukrainase; Kapedanët ukrainas në anije do të menaxhojnë me anijet komerciale të ngarkuara me grurë që të lëvizin përgjatë rajoneve bregdetare të minuara duke shfrytëzuar hartën e kanaleve të sigurta e siguruar nga ana ukrainase; Anijet do ta kalojnë Detin e Zi drejt Bosforit, me kujdes të ndjekur nga qendra e përbashkët koordinuese në Stamboll, e përbërë nga përfaqësues të KB-së, Ukrainës, Rusisë dhe Turqisë; Anijet të cilat mbërrijnë në Ukrainë do të kontrollohen nga qendra e njëjtë koordinuese që të sigurohet se nuk mbajnë armë ose mallra të tjerë që mund të përdoren në luftë; Rusia dhe Ukraina u pajtuan që të tregohen të përmbajtura nga sulmi në cilëndo anije tregtare ose port të përfshira në iniciativën për grurë, përderisa KB dhe vëzhguesit turq do të jenë të pranishëm në portet ukrainase që qartë t'i shënojnë rajonet e mbrojtura me marrëveshjen. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR