• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Sllupçan përkujtohet 2 Maji-Dita e shpalljes së Karadakut “Zonë e lirë”

Në Sllupçan përkujtohet 2 Maji-Dita e shpalljes së Karadakut “Zonë e lirë”

Likovë, 2 maj 2023 (MIA)- Me aktivitete të shumta në komunën e Likovës sot u shënua 2 Maji – Dita e shpalljes së Karadakut “Zonë e lirë”. Manifestimi qendror u mbajt si tradicionalisht në kompleksin e dëshmorëve në fshatin Sllupçan, ku morën pjesë ish luftëtarë të UÇK-së, veteran të luftës, familjarë të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë, si dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe vise të tjera. Para të pranishmëve u evokuan kujtime për luftën e vitit 2001, e cila rrënjësisht ndryshoi pozitën e shqiptarëve në vend.

Fjalim mbajti edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i cili tha se, “kundërshtarët tanë përballë që kishim, nuk e dinin që nënat shqiptare i kanë rrit bijtë dhe bijat e veta në djep prej prushi që nuk dinë të ndalen”. “Kur dikush ua shkel varrin mbi varre. Ne shqiptarët, na vrisnin e na masakronin në çdo periudhë të historisë që po kalonim. Nëpër dekada kanë sakrifikuar burra e gra, por asnjëherë nuk u përkulën. Prandaj, këto amanete, këto histori, nuk janë as të thjeshta dhe më se të vërteta, se po të na prekë dikush atë që e kemi arritur me gjak e djersë për flamur e gjuhë amtare, do të ngjallen prapë heronjtë ndër varre”, tha Ahmeti, njofton RTVM.

Sadulla Duraku tha se 2 maji është një ditë madhështore dhe ditë historike.

“Pikërisht me 2 maj vendosëm në konsultim me Shtabin e përgjithshëm të UÇK-së dhe shtabin e Brigadës 113 ‘Ismet Jashari’, po në këtë vend në ora 14:45 minuta të dalë me uniformë dhe haptazi i treguam armikut se jemi gjallë”, tha Duraku, ish deputet i kësaj zone.

“Karadakun e kanë quajtur Mali i Zi, malet e zeza, e gjaku i derdhur i dëshmorëve që janë këtu e të tjerë para dhe pas tyre e kanë bërë Karadakun me ngjyrë kuq e zi”, tha veprimtari i LPK-së, Hydajet Hyseni.

Ndërkohë, kreu i komunës së Likovës, Erkan Arifi tha se vitin e kaluar ngritëm kullën përkujtimore për të përkujtuar të gjitha veprat e tyre heroike. Me ndërtimin e kullës përkujtimore, tha ai, kemi ngritur përkujtimin e historisë më të re të kësaj kohe dhe të kësaj zone.

Madje, sipas deputetit të zonës, Berat Ajdari, madje edhe pse kaluan 22 vite, ende janë të freskëta kujtimet për vullnetarët e lirisë, që nën uniformën e UÇK-së e mbron nderin dhe dinjitetin kombëtar.

Në kuadër të shënimit të 2 majit u bënë homazhe për të gjithë martirët e rënë në altarin e lirisë nga fshati Vaksincë e deri në fshatin Nikushtak si dhe program i pasur muzikor, me pjesëmarrjen e ShKA “Jeta e re” nga fshati Sllupçan si dhe për herë të parë të Ansamblit të këngëve dhe valleve shqiptare në Maqedoni.

QËNDRONI TË LIDHUR