• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Shqipëri, lista e zezë e SHBA-së përfshin pronar mediatik si dhe një ish-deputet

Në Shqipëri, lista e zezë e SHBA-së përfshin pronar mediatik si dhe një ish-deputet
Tiranë, 11 prill 2022 (MIA) - Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e zezë pronarin e “TV Ora“ Ylli Ndroqin, si dhe ish-deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi. “Të dy akuzohen për korrupsion, shantazh, përvetësim, ryshfet dhe përfshirje në krim të organizuar. Krimi i organizuar mbetet kërcënim i rëndësishëm në Shqipëri dhe aktorët kriminalë vazhdojnë të ndikojnë në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për të mbështetur kandidatët e tyre të preferuar“, lajmërojnë mediat në Shqipëri. “Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim. Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”, informojnë disa media në Shqipëri. Ndërkaq, sipas mediave Ylli Ndroqi është ai të cilit qeveria ia sekuestroi pronën në vitin 2020 dhe 2021 për aktivitete kriminale. “Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media. Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”, lajmërojnë mediat vendore. Në maj të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli persona non grata ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-liderin e demokratëve Sali Berisha, gruan, djalin dhe vajzën e tij. Të padëshiruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deri tani Tom Doshi, kreu i Partisë Socialdemokrate dhe një biznesmen i njohur, si dhe ish-kryeprokurori Adriatik Lalla me familjet e tyre. bs/  

QËNDRONI TË LIDHUR