• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Shkup dhe në Prishtinë filloi manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”

Në Shkup dhe në Prishtinë filloi manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”

Shkup, Prishtinë, 26 gusht 2023 - Sot në Shkup dhe në Prishtinë filloi edicioni i tretë i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, në 113 vjetorin e lindjes dhe në 26 vjetorin e vdekjes së Nënës Tereze. Ky manifestim organizohet nga ITSHKSH në bashkëpunim me revistën “Drita”, “Universitetin e Prizrenit”, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe në përkujdesje të zv.kryeministrit të parë të RMV, Artan Grubi.

Ky manifestim i dedikohet kryekëput veprimtarisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Terezë, një objektiv ky edhe i Departamentit me të njëjtin emër në ITSHKSH dhe do të përfshijë një gamë aktivitetesh që do të zhvillohen në Shkup, në Prishtinë, Prizren, Tiranë dhe në SHBA. Për të artikuluar më drejtë preokupimet dhe synimet e këtij manifestimi, për të dytin vit me radhë botohet edhe revista “DRITA E GONXHES”, e cila është edhe një pasqyrë autentike e të gjitha zhvillimeve dhe përmbajtjeve tematike që lidhen me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Terezë, duke artikuluar kështu nevojën e prezantimit të kësaj figure planetare në një dimension më të strukturuar në aspektin e qasjes dhe problematizimit të temave dhe ideve që lidhen me të. Në kuadër të këtij manifestimi do të ketë edhe një ekspozitë me fotografi që shënojnë rrugëtimin tonë në shënimin e datave dhe ngjarjeve që ndërlidhen me jetën dhe veprën e Nënës Terezë.

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, në fjalën e tij të rastit tha sot na ka bërë bashkë emri dhe lavdia planetare e një gruaje, e cila rrugën e shenjtërimit e filloi nga vendlindja e saj, nga Shkupi ynë. Ajo këtë rrugë e nisi si Gonxhe dhe e përfundoi si Shën Nëna Terezë dhe gjithë këtë hark jetësor ajo e mbushi me dashuri, ngrohtësi, përkujdesje ndaj të vetmuarve, të sëmurëve, të pastrehëve.

“Ajo, me qasjen e butë, paqësore e mirëkuptuese u bë udhërrëfyese e porosive hyjnore ndaj njerëzimit. Sot kur kujtojmë 113 vjetorin e lindjes dhe 26 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, kemi shumë nevojë për fuqinë magjike të këtij udhërrëfimi, sepse trazirat në botë ndodhin më së tepërmi kur prishen balancet në mes të hyjnores dhe tokësores”, nënvizoi Asani.

Drejtimi i një institucioni shtetëror, siç është ITSHKSH nuk është një ishull i izoluar, por është ndërveprim i kombinuar në mes të sensit menaxherial dhe mbështetjes institucionale. Edhe ky manifestim që po e fillon sot në Shkup, mban vulën e këtij ndërveprimi falë edhe mirëkuptimit dhe përkujdesjes së zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e RMV, z. Artan Grubi. “Në këtë vend që ne e shënuam si vendi i shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë, duhej të ndërtohet një godinë e cila përfundimisht do t’i kishte ç’rrënjosur të gjitha rrënjët e kujtesës mbi figurën e Nënës Terezë dhe trashëgimisë së saj. Por ja që ngadhënjeu e kundërta, ngadhënjeu paqja, ngadhënjeu drejtësia, dhe ne që ishim nga ana tjetër dhe po luftonim padrejtësinë institucionale, jemi sot në dy institucione duke promovuar drejtësinë tonë dhe drejtësinë botërore të cilën e përfaqëson vlera e veprës së Nënë Terezës. E sot, ajo për të cilën foli dhe Skënderi ma përkujtoi se ajo betejë nuk përfundon asnjëherë, po e shohim edhe sot për më tepër se një dekadë nga rrënimi i atyre gardheve të metalta nga ky vend ku jemi, po vazhdon tendenca e krijimit të politikave mono-etnike, mono-kulturore, mono-religjioze, për të udhëhequr shtetin dhe për të krijuar ndasi midis komuniteteve, midis vlerave të cilët përfaqësojnë, por ja që për fat të mirë nuk gjejnë përkrahje as në komunitetin ndërkombëtar as dhe tek shumica e qytetarëve në vendin tonë dhe është e destinuar që të dështoj”, vuri në dukje Grubi. Ditën e sotme, karvani i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, vazhdoi rrugëtimin për në Prishtinë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pasi paraqiti një kronologji të jetës dhe veprës së Nënës Terezë tha se 26 gushti i sivjetmë na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin “Nënë Tereza”, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”.

“Në të gjallë, atë e nderoi pothuajse e gjithë bota. Më 1979 ajo u laureua me Çmimin “Nobel” për Paqe, kurse më 1985, Presidenti amerikan Ronald Regan i dha asaj Medaljen Presidenciale të Lirisë, përveç shumë diplomash e titujsh nderi që iu dhanë nga shumë vende të botës anembanë. Në kohë aq të vështira, ajo arriti të gjente mundësitë për të vizituar Kosovën dhe Shqipërinë, tokën e saj të lindjes dhe të të parëve të saj. Pas vdekjes, ajo u shenjtërua nga Kisha Katolike Romane dhe kështu Tereza e Kalkutës u bë Shën Tereza. Gonxhja e kishte ruajtur shqipen e saj të fëmijërisë, që mbase ishte gjuha e lutjeve të saj më personale dhe më të thella drejtuar Zotit. Shembulli që japim me veprën dhe jetën tonë çdo ditë secili prej nesh për gjithë të tjerët. Personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre”, tha kryeministri Kurti.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, shpresoj që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.

Si një shtëpi e hapur për vlera dhe ide, ITSHKSH i ka shfrytëzuar të gjitha favoret që sjell bashkëpunimi me Ipeshkvin Prishtinë-Prizren. Por, ky bashkëpunim ka qenë mjaft i suksesshëm në saje të miqësisë dhe mirëkuptimit që ITSHKSH ka patur me mon sinjor Don Lush Gjergjin. Ai me këtë rast foli për vlerat universale të shëmbëlltyrës së Nënës Terezë dhe nderimin që duhet t’ia bëjmë në vazhdimësi kësaj figure, duke vazhduar rrugëtimin e saj me vepra që do të ishin gjithmonë në shërbim të progresit njerëzor.

Bashkëpunimi i ITSHKSH me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka shprehur gjithmonë synimin për të krijuar një strategji të përbashkët veprimi në fushat e albanologjisë. Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte edhe pjesëmarrja e drejtoreshës së këtij Instituti, Teuta Shala e cila tha se sot këtu në Prishtinë, po kujtojmë një figurë madhore të historisë sonë, për më tepër në fushën e humanizmit dhe bamirësisë Nënë Tereza është një nga figurat më të rëndësishme, jo vetëm shqiptare, por edhe të botës, këtë e dëshmojnë veprat e pafundme të bamirësisë e të humanizmit për të cilat u nderua me çmimet dhe nderimet më të larta duke përfshirë edhe Çmimin Nobel për paqe më 1979. “Figura e Nënë Terezës u bë edhe më madhështore pas shkuarjes në amshim kur u shpall shenjtore.Në fund, dua të përgëzoj organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm kulturor-shkencor. Një falënderim të veçantë kam për drejtorin Skender Asani, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin ndërmjet dy Instituteve atij të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptuarve në Shkup dhe Institutit të Historisë "Ali Hadri" - Prishtinë, bashkëpunim ky i cili po thellohet gjithnjë e më shumë me organizimin e aktivitetet të përbashkëta shkencore”, nënvizoi Teuta Shala.

Dita e sotme e manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” përfundoi me Akademinë solemne në Qendrën “BogdaniPolis” – Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë dhe me promovimi e nr. 2 të revistës “DRITA E GONXHËS”, botim i ITSHKSH. Në fund të manifestimit, drejtori Asani i dhuroi kryeministrit Kurti disa tituj librash të botuar nga ITSHKSH.

 

QËNDRONI TË LIDHUR