• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Pentagon takim i ministres Petrovska - Karlin: Intensitet i fortë i bashkëpunimit të Maqedonisë dhe SHBA-së në mbrojtje

Në Pentagon takim i ministres Petrovska  - Karlin: Intensitet i fortë i bashkëpunimit të Maqedonisë dhe SHBA-së në mbrojtje

Shkup, 16 shtator 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska sot në Pentagon ka takuar Mara Karlin, ushtruese e detyrës së zëvendës nënsekretares të mbrojtjes së SHBA-së për politikë të mbrojtjes.

Në takim me Karlin, ministrja theksoi se bashkëpunimi i fortë i Maqedonisë dhe SHBA-së e rrit sigurinë dhe përforcon mbrojtjen kolektive në Aleancë.

"Aleanca në NATO nuk është vetëm një fjalë - është vlera jonë më e madhe. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbrojmë vlerat dhe parimet që besojmë si shtete dhe si shoqëri. Më vjen mirë që jemi plotësisht të përkushtuar ndaj bashkëpunimit në mbrojtje. Me mbështetjen amerikane për Armatën dhe objektet stërvitore të Maqedonisë, ne po zhvillojmë ndërveprueshmërinë dhe aftësitë e secilit prej pjesëtarëve tanë", tha ministrja.

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, Petrovska falënderoi SHBA-në për mbështetjen në procesin e modernizimit dhe pajisjes dhe tha se investimet intensive në Armatë, që janë investime në sigurinë e vendit dhe qytetarëve, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

"SHBA-ja deri më tani e ka mbështetur mbrojtjen e Maqedonisë me 330 milionë dollarë, prej të cilave vetëm vitin e kaluar janë investuar mbi 135 milionë, kurse buxheti i brendshëm për mbrojtje vitin e ardhshëm do të arrijë në 2 për qind të bruto prodhimit vendor, nga të cilat sërish këtë vit një përqindje e madhe do të jetë e destinuar për modernizim dhe pajisje", tha Petrovska.

Ministrja theksoi se Udhërrëfyesi që e nënshkroi me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Llojd Ostin në qershor, është një dokument që përshkruan rrugën nëpër të cilën do të ecë bashkëpunimi i mbrojtjes së Maqedonisë dhe SHBA-së. Ky dokument, tha ajo, është dëshmi se të dyja vendet mbeten fuqishëm të përkushtuara për forcimin e intensitetit të bashkëpunimit të përbashkët. Karlin theksoi se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maqedonia e Veriut është një aleat i përkushtuar dhe i dëshmuar dhe se mbështetja amerikane në të gjitha proceset zhvillimore do të vazhdojë edhe në të ardhmen. sa/

foto: Ministria e Mbrojtjes e RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR