• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Parkun e malit të Gazi Babës festohet Dita e Evropës

Në Parkun e malit të Gazi Babës festohet Dita e Evropës

Shkup, 13 maj 2023 (MIA) - Parku i Gazi Babës është një lokacion i bukur për të festuar Ditën e Evropës, për të festuar unitetin dhe diversitetin, poashtu edhe ky qytet i shkëlqyeshëm dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm që janë pjesë e këtij manifestimi, porositi ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir në deklaratën për media në kremtimin me rastin e Ditës së Evropës të organizuar nga Jurop haus Shkup në parkun pyjor në lagjen Autokomandë të Shkupit.

"Nuk e di nëse dikush nga ju ka qenë në parkun e Gazi Babës, por nëse nuk keni qenë, ky është një nga sekretet e mëdha të Shkupit. Është një park magjik me pamje të bukur të të gjithë qytetit dhe i gjelbër. Prandaj sot jemi këtu për të festuar edhe një herë Ditën e Evropës me shumë aktivitete për të gjithë - për fëmijët, për të rriturit, këtu ka gara, natyrë, ushqim dhe muzikë të mrekullueshme", tha Gir.

I pyetur nëse është e përshtatshme që flamuri evropian të vendoset në ndryshimet e ligjeve të nevojshme për realizimin e marrëveshjes me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, euroambasadori tha se sot do të fokusohet vetëm në ngjarjen e sotme dhe shtoi se tashmë ka dhënë shumë deklarata ditët e kaluara lidhur me këtë temë.

"Sot më lejoni të fokusohem vetëm te Parku i Gazi Babës dhe njerëzit që argëtohen dhe kënaqen këtu", tha Gir.

Valon Saliu nga Jurop haus Shkup tha se në organizimin e tyre tashmë ka pasur disa manifestime për shënimin e Ditës së Evropës.

"Javën e nisëm me një ngjarje në Manastir ku Jurop haus hapi një kënd të ri të shtunën e kaluar. Gjatë kësaj jave kemi pasur aktivitet në Strumicë dhe Kriva Pallankë. Patëm edhe pritje të një delegacioni në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe sot jemi këtu në parkun e bukur në Gazi Babë ku tashmë këtu po mblidhen njerëz", deklaroi Saliu.

Ai theksoi se gjatë ditës do të ketë koncerte të bendeve të këtij vendi, ku do të këndojnë Vllatko Stefanovski, Kërpudhat, Crno Sobranie...

"Kemi pasur edhe një maratonë të vogël që organizuam sot këtu, ka një kënd të bukur për fëmijë. Shfrytëzoj rastin të gjithëve t’ua uroj Ditën e Evropës dhe shoqërohemi sa më shumë", thekson Saliu. 

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR