• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Ohër u mbajt ceremonia qendrore me rastin e shënimit të 18 gushtit – Ditës së Armatës

Në Ohër u mbajt ceremonia qendrore me rastin e shënimit të 18 gushtit – Ditës së Armatës

Ohër, 18 gusht 2024 (MIA) - Festa e sotme është përkujtim se askush nuk na liroi, por ne e çliruam veten. Shteti maqedonas nuk u dhurua, por u fitua dhe u fitua me një luftë të vështirë dhe të drejtë nacionalçlirimtare... Ju, ushtarët dhe oficerët, kadetët dhe veteranët e ushtrisë jeni rojtarët e vërtetë të trashëgimisë, shtetit maqedonas të lirë që para 80 viteve ia lanë KAÇKM-së paraardhësit tanë të guximshëm. Këtë e theksoi presidentja dhe komandante supreme e Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, në fjalimin e saj para të pranishmëve në ceremoninë qendrore me rastin e 18 gushtit - Ditës së Armatës të Republikës së Maqedonisë së Veriut që u mbajt sot në Ohër.

Me këtë rast, Siljanovska Davkova theksoi se forca jonë buron nga uniteti i diversitetit tonë, etnik, fetar, gjuhësor, gjenerativ, gjinor, ideologjik...

"Të gjithë jeni të lidhur dhe të obliguar me betimin solemn se do të mbroni lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit. Është një nevojë dhe nder i pafund të kryesh detyrat ushtarake në mënyrë të disiplinuar, të ndershme dhe të ndërgjegjshme si më parë. Këtë e bëni vazhdimisht dhe pa të meta... kryesisht me mbështetjen dhe ndihmën e parezervë që u jepni qytetarëve dhe institucioneve të Maqedonisë në përballjen me fatkeqësitë natyrore siç janë zjarret e kësaj vere. Ju jeni një garantues dhe potencial i rëndësishëm i paqes në këto kohë të vështira të pasigurisë së madhe"...tha ajo ndër të tjera.

Presidentja theksoi se më e rëndësishmja është që përveç pranisë aktive ndërkombëtare, pjesëtarët e Armatës janë këtu, në vend, gjithmonë dhe kudo që është më e nevojshme.

"Ndërsa ne po festojmë këtë festë, disa nga pjesëtarët e Armatës po luftojnë me zjarret në të gjithë vendin. Në këto momente po ndihmojnë në shuarjen dhe mbrojtjen e qytetarëve...Vite më parë është përfshirë rregullisht në mbështetje të institucioneve në përballjen e fatkeqësive natyrore dhe situatave të krizës. Gjithmonë e bënte këtë profesionalisht dhe me sakrificë, prandaj, Armata vazhdon të gëzojë nivelin më të lartë të besimit në mesin e qytetarëve të Maqedonisë, theksoi ajo, duke shfrytëzuar rastin për të vënë në dukje nevojën e zbatimit të reformave të sistemit për mbrojtje dhe shpëtim dhe menaxhimin e krizave, për të zbuluar dhe korrigjuar mospërputhjet institucionale dhe profesionale, si dhe për të krijuar një sistem logjik dhe efektiv të menaxhimit të krizave.

Presidentja, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, emëroi gjeneralmajorin Sashko Lafçinski për shef të Shtatmadhorisë së Armatës, funksion që në dy mandatet e fundit e mbante gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski.

"Të gjitha njohuritë, përvojën dhe kapacitetin tim do t'i investoj në përmbushjen e misionit të Armatës, në përgatitjen e saj për mbrojtjen e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, brenda dhe jashtë vendit", tha Lafçinski.

Me këtë rast, shefi i Shtatmadhorisë theksoi se do të vazhdojë të punojë për ngritjen e kapaciteteve dhe aftësive të Armatës, integrimin e planeve zhvillimore me Planin e Transformimit dhe planet e modernizimit, të gjitha me synimin për arritjen e gatishmërisë më të lartë luftarake dhe përmirësimin e ndërveprimit me aleatët dhe partnerët.

Në emër të Qeverisë, të pranishmëve në ceremoni iu drejtua ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, i cili falënderoi pjesëtarët e Armatës për profesionalizmin e tyre, sakrificat e tyre që ishin gjithmonë në mbrojtje të atdheut, në vijat e frontit për mbrojtjen e qytetarëve në situata krize por edhe kontributin e tyre në sigurinë rajonale dhe globale përmes misioneve të NATO-s dhe KB-së...

"Në këto kohë të brishta rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi dypalësh dhe rajonal, bashkëpunimi me BE-në, por rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi me fqinjët... Ajo që qëndron në punën tonë për ruajtjen e një shteti të qëndrueshëm dhe të sigurt, por edhe ruajtjen e paqes në korniza globale. Kjo nënkupton hartimin e dokumenteve të reja strategjike, strategjinë e re të mbrojtjes, përditësimin e planit afatgjatë për zhvillimin e aftësive të mbrojtjes dhe planit për menaxhim dhe modernizim, të domosdoshëm për t'u përballur me sfidat e reja", tha Misajlovski, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për të ofruar një buxhet të mbrojtjes i cili do të vazhdojë të rritet dhe të tejkalojë minimumin dy për qind të PBB-së.

Ai theksoi se mbetet përkushtimi në ngritjen e kapaciteteve të Armatës dhe të gjitha institucioneve të tjera të sigurisë, si dhe të institucioneve për edukim dhe trajnim të kuadrit - Akademia Ushtarake, Instituti për Siguri, Mbrojtje dhe Paqe, Fakulteti i Sigurisë.

Në ceremoninë e sotme morën pjesë lidershipi më i lartë shtetëror, presidentja dhe komandant suprem i Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, ministra në Qeveri, deputetë, mysafirë nga kori ushtarako-diplomatik, komandanti i Gardës Kombëtare të Vermontit, gjenerali Gregori Najt, ish ministra të mbrojtjes dhe shefa të Shtatmadhorisë dhe të ftuar të tjerë nga jeta shoqërore. sa/

foto: MIA/ Kabineti i presidentes

QËNDRONI TË LIDHUR