• e premte, 27 dhjetor 2024

Në mesin e personave që ranë në lumin Lepenc ka edhe një të mitur

Në mesin e personave që ranë në lumin Lepenc ka edhe një të mitur

Shkup, 18 qershor 2023 (MIA) - Në mesin e personave që ranë në lumin Lepenc në rrugën Shkup - VK Bllacë gjatë aksidentit të djeshëm me makinë me targa të Kosovës ka edhe një të mitur, informuan sot nga MPB-ja.

"Sipas lajmërimit, përveç shoferit ka pasur edhe tre udhëtarë M.P.(48), Sh.P.(21) dhe një 16 vjeçar. Pas aksidentit udhëtari Sh.P. është nxjerrë nga lumi dhe është dërguar në SPQ “8 Shtatori”, ku nga ana e mjekut janë konstatuar lëndime trupore, ndërsa tre persona të tjerë ende janë në kërkim nga ekipet e Departamentit të operacioneve speciale të policisë", qëndron në kumtesën e MPB-së.

Bëhet fjalë për persona të cilët janë zhdukur gjatë aksidentit të djeshëm, kur një automjet me targa të Kosovës ka rënë në lumin Lepenc në rrugën Shkup – VK Bllacë.

Me urdhër të prokurorit publik shoferi i automjetit tjetër është privuar nga liria dhe është mbajtur për procedurë të mëtejshme.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR